← John (12/21) → |
1. | Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish. |
2. | Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të. |
3. | Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji. |
4. | Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha: |
5. | ''Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t'u jepej fitimi të varfërve?''. |
6. | Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç'shtinin atje brenda. |
7. | Jezusi, pra, tha: ''Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. |
8. | Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë''. |
9. | Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish. |
10. | Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin, |
11. | sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin. |
12. | Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, |
13. | mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: ''Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!''. |
14. | Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar: |
15. | ''Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!''. |
16. | Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të. |
17. | Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të. |
18. | Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë. |
19. | Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: ''A e shihni se s'po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij''. |
20. | Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë. |
21. | Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: ''Zot, duam të shohim Jezusin''. |
22. | Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. |
23. | Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: ''Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet, |
24. | Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! |
25. | Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. |
26. | Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. |
27. | Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. |
28. | O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''. |
29. | Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: ''Një engjëll i ka folur!''. |
30. | Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju. |
31. | Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote! |
32. | Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''. |
33. | Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste. |
34. | Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''. |
35. | Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''. |
36. | ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre. |
37. | Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të, |
38. | që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''. |
39. | Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha: |
40. | ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''. |
41. | Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të. |
42. | Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, |
43. | sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë. |
44. | Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar. |
45. | Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar. |
46. | Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë. |
47. | Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën. |
48. | Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit. |
49. | Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall. |
50. | Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''. |
← John (12/21) → |