← John (11/21) → |
1. | Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj. |
2. | Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë. |
3. | Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''. |
4. | Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''. |
5. | Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin. |
6. | Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. |
7. | Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''. |
8. | Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''. |
9. | Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, |
10. | por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''. |
11. | Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''. |
12. | Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''. |
13. | Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. |
14. | Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ''Llazari ka vdekur. |
15. | Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai''. |
16. | Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: ''Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të''. |
17. | Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr. |
18. | Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit. |
19. | Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t'i ngushëlluar për vëllanë e tyre. |
20. | Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi. |
21. | Marta i tha Jezusit: ''Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur, |
22. | por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t'i japë''. |
23. | Jezusi i tha: ''Yt vëlla do të ringjallet''. |
24. | Marta i tha: ''E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit''. |
25. | Jezusi i tha: ''Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. |
26. | Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?''. |
27. | Ajo i tha: ''Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë'' |
28. | Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: ''Mësuesi është këtu dhe po të thërret''. |
29. | Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai. |
30. | Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar. |
31. | Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: ''Ajo po shkon te varri për të qarë aty''. |
32. | Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: ''Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur''. |
33. | Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit, |
34. | dhe tha: ''Ku e keni vënë?''. Ata i thanë: ''Zot, eja e shih!''. |
35. | Jezusi qau. |
36. | Atëherë Judenjtë thanë: ''Shih, sa e donte!''. |
37. | Por disa nga ata thanë: ''Ky, që i hapi sytë të verbërit, s'mund të bënte që ky të mos vdiste?". |
38. | Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur. |
39. | Jezusi tha: ''Hiqni gurin!''. Marta, motra e të vdekurit, i tha: ''Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh''. |
40. | Jezusi i tha: ''A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?''. |
41. | Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: ''O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar. |
42. | Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar''. |
43. | Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ''Llazar, eja jashtë!''. |
44. | Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: ''Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!''. |
45. | Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të. |
46. | Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç'kishte bërë Jezusi. |
47. | Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: ''Ç'të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja. |
48. | Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë''. |
49. | Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: ''Ju nuk kuptoni asgjë; |
50. | dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi''. |
51. | Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin, |
52. | dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t'i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë. |
53. | Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin. |
54. | Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij. |
55. | Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t'u pastruar. |
56. | E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: ''Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?''. |
57. | Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin. |
← John (11/21) → |