← Joel (2/3) → |
1. | I bini borisë në Sion dhe jepni kushtrimin në malin tim të shenjtë! Le të dridhen të gjithë banorët e vendit, sepse dita e Zotit po vjen, është e afërt, |
2. | po vjen dita e territ dhe e errësirës së dendur, ditë resh dhe mjegulle. Ashtu si përhapet agimi mbi malet, po vjen një popull i shumtë dhe i fuqishëm, të cilit kurrkush nuk i ka ngjarë më parë dhe as nuk do të ketë më kurrë për shumë breza që do të vijnë. |
3. | Para tij një zjarr po gllabëron dhe pas tij një flakë po djeg. Përpara tij vendi është si kopshti i Edenit; dhe pas tij është si një shkretëtirë e mjeruar; po, asgjë nuk i shpëton atij. |
4. | Pamja e tyre është si pamja e kuajve, dhe rendin si kuaj të shpejtë. |
5. | Ata hidhen mbi majat e maleve me zhurmë qerresh, si brambullima e flakës së zjarrit që djeg kallamishtet, si një popull i fortë që është rreshtuar për betejë. |
6. | Përpara tyre popujt përpëliten nga dhembja, çdo fytyrë zbehet. |
7. | Rendin si njerëz trima, ngjiten mbi muret si luftëtarë; secili ndjek rrugën e vet pa devijuar prej saj. |
8. | Askush nuk e shtyn fqinjin e tij, secili ndjek shtegun e vet; sulen në mes të shigjetave, por nuk plagosen. |
9. | I bien qytetit kryq e tërthor, rendin mbi muret, ngjiten në shtëpi, hyjnë në to nga dritaret si vjedhës. |
10. | Para tyre dridhet toka, dridhen qiejt, dielli dhe hëna erren dhe yjet humbin shkëlqimin e tyre. |
11. | Zoti bën që t'i dëgjohet zëri para ushtrisë së tij, sepse fusha e tij është shumë madhe dhe zbatuesi i fjalës së tij është i fuqishëm. Po, dita e Zotit është e madhe dhe fort e tmerrshme; kush mund ta durojë? |
12. | "Prandaj tani", thotë Zoti, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime". |
13. | Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhemshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar. |
14. | Kush e di, ndoshta kthehet dhe pendohet, dhe lë pas tij një bekim, një ofertë ushqimesh dhe një libacion për Zotin, Perëndinë tuaj? |
15. | I bini borisë në Sion, shpallni një agjërim, thërrisni një kuvend solemn. |
16. | Mblidhni popullin, shenjtëroni kuvendin, mblidhni pleqtë, mblidhni fëmijët dhe foshnjat e gjirit. Të dalë dhëndrri nga dhoma e tij dhe nusja nga dhoma e saj e nusërisë. |
17. | Midis portikut dhe altarit le të qajnë priftërinjtë, ministrat e Zotit, dhe le të thonë: "Fale, o Zot, popullin tënd dhe mos ia lër trashëgiminë tënde turpit apo nënshtrimit nga ana e kombeve. Sepse do të thonë midis popujve: "Ku është Perëndia i tyre?"". |
18. | Atëherë Zoti u bë xheloz për vendin e tij dhe i erdhi keq për popullin e tij. |
19. | Zoti do të përgjigjet dhe do t'i thotë popullit të tij: "Ja, unë do t'ju dërgoj grurë, musht dhe vaj, do t'i keni me bollëk dhe nuk do të jeni më turpi i kombeve. |
20. | Do të largoj nga ju ushtrinë e veriut dhe do ta çoj në një tokë të zhuritur dhe të shkretë; pararojën e saj drejt detit lindor dhe praparojën e saj drejt detit perëndimor; era e keqe e saj do të përhapet, duhma e saj do të përhapet, sepse ka bërë gjëra të mëdha. |
21. | Mos kij frikë, o tokë, gëzohu, ngazëllohu, sepse Zoti ka bërë gjëra të mëdha. |
22. | Mos kini frikë, o kafshë të fushave, sepse tokat për kullotë do të gjelbërojnë, drurët mbajnë frytin e tyre, fiku dhe hardhia japin tërë bollëkun e tyre. |
23. | Prandaj gëzohuni, o bij të Sionit, dhe kënaquni, ngazëllohuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ju ka dhënë shiun e parë me drejtësi, dhe do të bëjë të bjerë për ju shiun, shiun e parë dhe shiun e fundit në muajin e parë. |
24. | Lëmenjtë do të jenë plot me grurë dhe në butet do të grafullojë mushti dhe vaji; |
25. | kështu do t'ju kompensoj për të korrat që kanë ngrënë karkaleci, larva e karkalecit, bulkthi dhe krimbi, ushtria ime e madhe që kisha dërguar kundër jush. |
26. | Dhe ju do të hani me bollëk dhe do të ngopeni, dhe do të lëvdoni emrin e Zotit, Perëndisë tuaj, që për ju ka bërë mrekulli, dhe popullin tim nuk do ta mbulojë më turpi. |
27. | Atëherë ju do të pranoni që unë jam në mes të Izraelit dhe që jam Zoti, Perëndia juaj, dhe nuk ka asnjë tjetër; popullin tim nuk do ta mbulojë më turpi". |
28. | "Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. |
29. | Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret. |
30. | Do të bëj mrekulli në qiejt dhe mbi tokë: gjak, zjarr dhe shtëllunga tymi. |
31. | Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit. |
32. | Dhe do të ndodhë që kushdo që do t'i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jeruzalem do të ketë shpëtim, siç e ka thënë Zoti, edhe për ata që kanë mbetur gjallë dhe që Zoti do t'i thërrasë". |
← Joel (2/3) → |