Joel (1/3) → |
1. | Fjala e Zotit që iu drejtua Joelit, birit të Pethuelit. |
2. | Dëgjoni këtë, o pleq, dëgjoni, ju të gjithë banorë të vendit. A ka ndodhur vallë një gjë e tillë në ditët tuaja apo në ditët e etërve tuaj? |
3. | Tregouani bijve tuaj, dhe bijtë tuaj bijve të tyre, dhe bijtë e tyre brezit tjetër. |
4. | Atë që la krimbi e hëngri karkaleci, atë që la karkaleci e hëngri larva e karkalecit, atë që la larva e hëngri bulkthi. |
5. | Zgjohuni, o të dehur, dhe qani; vajtoni ju të gjithë, që pini verë, për mushtin që ju hoqën nga goja. |
6. | Sepse një komb i fortë dhe i panumërt ka dalë kundër vendit tim. Dhëmbët e tij janë dhëmbë luani, dhe ka stërdhëmbë luaneshe. |
7. | Ka shkatërruar hardhinë time, e ka bërë copë-copë fikun tim, ia ka hequr lëvoren krejt dhe e ka hedhur tutje; degët e tij kanë mbetur të bardha. |
8. | Vajto si një virgjëreshë e veshur me thes për dhëndrrin e rinisë së saj. |
9. | Nga shtëpia e Zotit janë zhdukur ofertat e ushqimit dhe libacionet; priftërinjtë, ministrat e Zotit, pikëllohen. |
10. | Fusha është shkretuar, vendi është në zi, sepse gruri u prish, mushti u tha dhe vaji humbi. |
11. | Pikëllohuni, o bujq, vajtoni, o vreshtarë, për grurin dhe për elbin, sepse të korrat e arave humbën. |
12. | Hardhia u tha, fiku u tha, shega, hurma, molla dhe tërë drurët e fushës u thanë; nuk ka gëzim midis bijve të njerëzve. |
13. | Ngjeshuni me thes dhe mbani zi, o priftërinj, vajtoni, ministra të altarit. Ejani, rrini tërë natën të veshur me thasë, o ministra të Perëndisë tim, sepse oferta e ushqimit dhe libacioni u zhduk nga shtëpia e Perëndisë tuaj. |
14. | Shpallni agjërim, thërrisni një kuvend solemn. Mblidhni pleqtë dhe tërë banorët e vendit në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe i klithni Zotit. |
15. | Mjerë ajo ditë! Sepse dita e Zotit është e afërt; po, do të vijë si një shkatërrim nga i Plotfuqishmi. |
16. | A nuk u hoq vallë ushqimi para syve tona, dhe gëzimi dhe hareja nga shtëpia e Perëndisë tonë? |
17. | Farërat po thahen nën plisa, depot janë katandisur të shkreta, hambaret e grurit po rrënohen, sepse gruri u tha. |
18. | Sa vuajnë kafshët! Kopetë e gjedhëve sillen më kot, sepse nuk ka kullotë për ta; lëngojnë edhe kopetë e deleve. |
19. | Te ty, o Zot, unë këlthas, sepse një zjarr ka gllabëruar të gjitha tokat për kullotë dhe një flakë ka djegur të gjithë drurët e fushës. |
20. | Edhe kafshët e fushave i ngrenë sytë drejt teje, sepse rrjedhjat e ujit janë tharë dhe zjarri ka gllabëruar tokat për kullotë. |
Joel (1/3) → |