| ← Job (9/42) → |
| 1. | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: |
| 2. | "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë? |
| 3. | Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë. |
| 4. | Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë? |
| 5. | Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij. |
| 6. | Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen. |
| 7. | Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet. |
| 8. | I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit. |
| 9. | Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut. |
| 10. | Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta. |
| 11. | Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj. |
| 12. | Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?". |
| 13. | Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit. |
| 14. | Si mund t'i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të? |
| 15. | Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t'i përgjigjem, por do t'i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim. |
| 16. | Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim, |
| 17. | ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak. |
| 18. | Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime. |
| 19. | Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t'u paraqitur? |
| 20. | Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur. |
| 21. | Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time. |
| 22. | Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin". |
| 23. | Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve. |
| 24. | Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra? |
| 25. | Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë. |
| 26. | Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet. |
| 27. | Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar", |
| 28. | më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm. |
| 29. | Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot? |
| 30. | Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë, |
| 31. | ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri. |
| 32. | Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë. |
| 33. | Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy. |
| 34. | Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë. |
| 35. | Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time. |
| ← Job (9/42) → |