← Job (7/42) → |
1. | "A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati? |
2. | Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij, |
3. | kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m'u caktuan net me dhembje. |
4. | Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim. |
5. | Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë. |
6. | Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë. |
7. | Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën. |
8. | Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më. |
9. | Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më; |
10. | nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më. |
11. | Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim. |
12. | A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje? |
13. | Kur unë them: "Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time", |
14. | ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime; |
15. | kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë. |
16. | Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë. |
17. | Ç'është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të, |
18. | dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast? |
19. | Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time? |
20. | Në rast se kam mëkatuar, çfarë të kam bërë ty, o rojtar i njerëzve? Pse më ke bërë objekt të goditjeve të tua, aq sa i jam bërë barrë vetes sime? |
21. | Pse nuk i fal shkeljet e mia dhe nuk e kapërcen paudhësinë time? Sepse shpejt do të jem pluhur; ti do të më kërkosh, por unë nuk do të jem më". |
← Job (7/42) → |