← Job (6/42) → |
1. | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: |
2. | "Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren, |
3. | do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën. |
4. | Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerrete Perëndisë janë renditur kundër meje. |
5. | Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij? |
6. | A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës? |
7. | Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm. |
8. | Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj! |
9. | Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë! |
10. | Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit. |
11. | Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time? |
12. | Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi? |
13. | A s'jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria? |
14. | Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit. |
15. | Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken. |
16. | Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora, |
17. | por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre. |
18. | Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shketëtirë dhe mbarojnë. |
19. | Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata, |
20. | por ata mbeten të zhgënjyer megjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar. |
21. | Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë. |
22. | A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj", |
23. | ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"? |
24. | Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar. |
25. | Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja? |
26. | Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era? |
27. | Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj. |
28. | Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush. |
29. | Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time. |
30. | A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?". |
← Job (6/42) → |