← Job (5/42) → |
1. | "Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t'i drejtohesh? |
2. | Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë. |
3. | E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij. |
4. | Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t'i mbrojë. |
5. | I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij. |
6. | Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka; |
7. | por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t'u ngjitur lart. |
8. | Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t'i besoja çështjen time, |
9. | atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta, |
10. | që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat; |
11. | që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë. |
12. | I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre; |
13. | i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym. |
14. | Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë; |
15. | por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre. |
16. | Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij. |
17. | Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit; |
18. | sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë. |
19. | Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë. |
20. | Në kohë zie do të të shpëtojë nga vdekja, në kohë lufte nga forca e shpatës. |
21. | Do t'i shpëtosh fshikullit të gjuhës, nuk do të trembesh kur të vijë shkatërrimi. |
22. | Do të qeshësh me shkatërrimin dhe me zinë, dhe nuk do të kesh frikë nga bishat e dheut; |
23. | sepse do të kesh një besëlidhje me gurët e dheut, dhe kafshët e fushave do të jenë në paqe me ty. |
24. | Do të dish që çadra jote është e siguruar; do të vizitosh kullotat e tua dhe do të shikosh që nuk mungon asgjë. |
25. | Do të kuptosh që pasardhësit e tu janë të shumtë dhe të vegjlit e tu si bari i fushave. |
26. | Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh. |
27. | Ja ç'kemi gjetur; kështu është. Dëgjoje dhe përfito". |
← Job (5/42) → |