| ← Job (41/42) → |
| 1. | A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar? |
| 2. | A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel? |
| 3. | A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla? |
| 4. | A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë? |
| 5. | A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua? |
| 6. | Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve? |
| 7. | A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja? |
| 8. | Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar. |
| 9. | Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri. |
| 10. | Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje? |
| 11. | Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja. |
| 12. | Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij. |
| 13. | Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë? |
| 14. | Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij? |
| 15. | Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule. |
| 16. | Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre. |
| 17. | Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen. |
| 18. | Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit. |
| 19. | Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri. |
| 20. | Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan. |
| 21. | Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë. |
| 22. | Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri. |
| 23. | Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin. |
| 24. | Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës. |
| 25. | Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar. |
| 26. | Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën. |
| 27. | E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi. |
| 28. | Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte. |
| 29. | Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës. |
| 30. | Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë. |
| 31. | E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem. |
| 32. | Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat. |
| 33. | Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë. |
| 34. | Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore". |
| ← Job (41/42) → |