← Job (40/42) → |
1. | Zoti vazhdoi t'i përgjigjet Jobit dhe tha: |
2. | "Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t'i përgjigjet kësaj pyetjeje". |
3. | Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha: |
4. | "Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time. |
5. | Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë". |
6. | Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: |
7. | "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. |
8. | A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten? |
9. | A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij? |
10. | Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim. |
11. | Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli, |
12. | shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen. |
13. | Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta. |
14. | Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore. |
15. | Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau. |
16. | Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij. |
17. | E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë. |
18. | Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri. |
19. | Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t'i afrohet atij me shpatën e tij. |
20. | Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen, |
21. | ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale. |
22. | Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë. |
23. | Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij. |
24. | Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t'i shpojë flegrat e hundës me gremça? |
← Job (40/42) → |