| ← Job (39/42) → |
| 1. | A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave? |
| 2. | A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin? |
| 3. | Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. |
| 4. | Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre. |
| 5. | Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër, |
| 6. | të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë? |
| 7. | Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie. |
| 8. | Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër. |
| 9. | Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd? |
| 10. | A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje? |
| 11. | A do t'i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t'ia lësh atij punën tënde? |
| 12. | A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë? |
| 13. | Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut. |
| 14. | Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur. |
| 15. | duke harruar që një këmbë mund t'i shtypë ose një kafshë e fushave mund t'i shkelë. |
| 16. | I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë, |
| 17. | sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi. |
| 18. | Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij. |
| 19. | A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten? |
| 20. | A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr. |
| 21. | Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë. |
| 22. | Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës. |
| 23. | Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta. |
| 24. | Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria. |
| 25. | Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës. |
| 26. | Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut? |
| 27. | Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta? |
| 28. | Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta. |
| 29. | Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg. |
| 30. | Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo". |
| ← Job (39/42) → |