| ← Job (38/42) → |
| 1. | Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: |
| 2. | "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim? |
| 3. | Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. |
| 4. | Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. |
| 5. | Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? |
| 6. | Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes, |
| 7. | kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi? |
| 8. | Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës, |
| 9. | kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena? |
| 10. | Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta, |
| 11. | dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"? |
| 12. | Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit, |
| 13. | që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij? |
| 14. | Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje. |
| 15. | Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet. |
| 16. | A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës? |
| 17. | Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes? |
| 18. | A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto! |
| 19. | Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij, |
| 20. | që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij? |
| 21. | Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh. |
| 22. | Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit |
| 23. | që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës? |
| 24. | Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë? |
| 25. | Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve, |
| 26. | që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri, |
| 27. | për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari? |
| 28. | Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës? |
| 29. | Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit? |
| 30. | Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin. |
| 31. | A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit? |
| 32. | A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj? |
| 33. | A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë? |
| 34. | A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm? |
| 35. | Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?". |
| 36. | Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës? |
| 37. | Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit |
| 38. | kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre? |
| 39. | A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit, |
| 40. | kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre? |
| 41. | Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim? |
| ← Job (38/42) → |