| ← Job (37/42) → |
| 1. | Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj. |
| 2. | Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj! |
| 3. | Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës. |
| 4. | Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij. |
| 5. | Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t'i kuptojmë. |
| 6. | I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë", ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta. |
| 7. | Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij. |
| 8. | Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre. |
| 9. | Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut. |
| 10. | Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet. |
| 11. | I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota. |
| 12. | Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar. |
| 13. | I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi. |
| 14. | Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë! |
| 15. | A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij? |
| 16. | A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha? |
| 17. | A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut? |
| 18. | Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë? |
| 19. | Na mëso se çfarë duhet t'i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën. |
| 20. | A mund t'i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri. |
| 21. | Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re. |
| 22. | Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme. |
| 23. | Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri. |
| 24. | Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur". |
| ← Job (37/42) → |