| ← Job (33/42) → |
| 1. | "Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia! |
| 2. | Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time. |
| 3. | Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra. |
| 4. | Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë. |
| 5. | Në rast se mundesh, m'u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua. |
| 6. | Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili. |
| 7. | Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty. |
| 8. | Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin: |
| 9. | "Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë. |
| 10. | Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij; |
| 11. | i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia". |
| 12. | Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu. |
| 13. | Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij? |
| 14. | Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re: |
| 15. | në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre. |
| 16. | Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën, |
| 17. | për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia, |
| 18. | për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata. |
| 19. | Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij, |
| 20. | aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme. |
| 21. | Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë; |
| 22. | kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen. |
| 23. | Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij. |
| 24. | Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të". |
| 25. | Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij. |
| 26. | Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij. |
| 27. | Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja. |
| 28. | Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën". |
| 29. | Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun, |
| 30. | për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës. |
| 31. | Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas. |
| 32. | Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë. |
| 33. | Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë". |
| ← Job (33/42) → |