← Job (32/42) → |
1. | Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë. |
2. | Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia. |
3. | Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin. |
4. | Elihu kishte pritur për t'i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai. |
5. | Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua. |
6. | Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t'ju parashtroj mendimin tim. |
7. | Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t'u mësojë diturinë". |
8. | Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë. |
9. | Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë. |
10. | Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim. |
11. | Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka. |
12. | Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij. |
13. | Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!". |
14. | Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t'i përgjigjem me fjalët tuaja. |
15. | Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë. |
16. | Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje. |
17. | Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim. |
18. | Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron. |
19. | Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur. |
20. | Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem. |
21. | Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt; |
22. | sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi". |
← Job (32/42) → |