← Job (31/42) → |
1. | "Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë? |
2. | Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta? |
3. | A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen? |
4. | Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj? |
5. | Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin, |
6. | le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time. |
7. | Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia, |
8. | le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin. |
9. | Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim, |
10. | gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të. |
11. | Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, |
12. | një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia. |
13. | Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua, |
14. | çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t'i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari? |
15. | Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark? |
16. | Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve, |
17. | në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit, |
18. | (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve) |
19. | në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej, |
20. | në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi, |
21. | në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta, |
22. | supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl! |
23. | Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë. |
24. | Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: "Ti je shpresa ime", |
25. | në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri, |
26. | në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time; |
27. | edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart. |
28. | Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia |
29. | (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim); |
30. | në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: "Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?". |
31. | (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit); |
32. | në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji, |
33. | sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia. |
34. | Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument, |
35. | dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë |
36. | do t'i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ. |
37. | Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të, |
38. | në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj, |
39. | në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit". |
40. | Këtu mbarojnë fjalët e Jobit. |
← Job (31/42) → |