← Job (3/42) → |
1. | Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij. |
2. | Kështu Jobi mori fjalën dhe tha: |
3. | "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!". |
4. | Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita! |
5. | E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë! |
6. | Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve! |
7. | Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi. |
8. | E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin. |
9. | U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon, |
10. | sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi. |
11. | Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj? |
12. | Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë? |
13. | Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja, |
14. | bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara, |
15. | ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre. |
16. | Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën? |
17. | Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit. |
18. | Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit. |
19. | Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij. |
20. | Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim, |
21. | të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura; |
22. | gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin? |
23. | Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë? |
24. | Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji. |
25. | Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh. |
26. | Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi". |
← Job (3/42) → |