← Job (29/42) → |
1. | Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha: |
2. | "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte, |
3. | kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës; |
4. | siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time, |
5. | kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark; |
6. | kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji. |
7. | Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh, |
8. | të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë; |
9. | princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë; |
10. | zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza. |
11. | veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua, |
12. | sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. |
13. | Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve. |
14. | Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë. |
15. | Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin; |
16. | isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja. |
17. | I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij. |
18. | Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra; |
19. | rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time; |
20. | lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time". |
21. | Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time. |
22. | Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese. |
23. | Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit. |
24. | Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime. |
25. | Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit. |
← Job (29/42) → |