| ← Job (28/42) → |
| 1. | "Me siguri ka një minierë për argjendin dhe një vend ku bëhet rafinimi i arit. |
| 2. | Hekuri nxirret nga toka dhe guri i shkrirë jep bakrin. |
| 3. | Njeriu i jep fund territ dhe hulumton thellësitë më të mëdha në kërkim të gurëve të varrosur në terr dhe në hijen e vdekjes. |
| 4. | Ai çel një pus larg vendbanimit, në vende të harruara nga këmbësorët; janë pezull dhe lëkunden larg njerëzve. |
| 5. | Sa për tokën, prej asaj del buka, por nga poshtë është e trazuar nga zjarri. |
| 6. | Gurët e saj janë banesa e safirëve dhe përmbajnë pluhur ari. |
| 7. | Shpendi grabitqar nuk e njeh shtegun dhe as syri i skifterit nuk e ka parë kurrë. |
| 8. | Bishat e egra nuk e kanë përshkruar dhe as luani nuk ka kaluar kurrë andej. |
| 9. | Njeriu vë dorë mbi strallin dhe i rrëzon malet nga rrënjët. |
| 10. | Hap galeri ndër shkëmbinj dhe syri i tij sheh gjithçka që është e çmuar. |
| 11. | Zë rrjedhat ujore që të mos rrjedhin, dhe nxjerr në dritë gjërat e fshehura. |
| 12. | Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë? |
| 13. | Njeriu nuk ua di vlerën dhe ajo nuk gjendet mbi tokën e të gjallëve. |
| 14. | Humnera thotë: "Nuk është tek unë"; deti thotë: "Nuk qëndron pranë meje". |
| 15. | Nuk përftohet duke e shkëmbyer me ar të rafinuar as blihet duke peshuar argjend. |
| 16. | Nuk shtihet në dorë me arin e Ofirit, me oniksin e çmuar ose me safirin. |
| 17. | Ari dhe kristali nuk mund të barazohen me të dhe nuk këmbehet me enë ari të kulluar. |
| 18. | Korali dhe kristali as që meritojnë të përmenden; vlera e diturisë është më e madhe se margaritarët. |
| 19. | Topazi i Etiopisë nuk mund të barazohet dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar. |
| 20. | Por atëherë nga rrjedh dituria dhe ku e ka selinë zgjuarsia? |
| 21. | Ajo u fshihet syve të çdo të gjalli, është e mbuluar për zogjtë e qiellit. |
| 22. | Abadoni dhe vdekja thonë: "Kemi dëgjuar të flitet për të me veshët tona". |
| 23. | Vetëm Perëndia njeh rrugën e saj, vetëm ai e di ku ndodhet, |
| 24. | sepse ai vë re skajet e tokës dhe sheh tërë ato që ndodhen nën qiejt. |
| 25. | Kur caktoi peshën e erës dhe u caktoi ujërave një masë, |
| 26. | kur bëri një ligj për shiun dhe një rrugë për vetëtimën e bubullimave, |
| 27. | atëherë pa dhe e tregoi, e vendosi dhe madje e hetoi, |
| 28. | dhe i tha njeriut: "Ja, të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t'i largohesh së keqes është zgjuarsi"". |
| ← Job (28/42) → |