| ← Job (26/42) → |
| 1. | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: "Si e ke ndihmuar të dobëtin, |
| 2. | ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë? |
| 3. | Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar? |
| 4. | Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje? |
| 5. | Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre. |
| 6. | Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel. |
| 7. | Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin. |
| 8. | I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre. |
| 9. | E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij. |
| 10. | Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin. |
| 11. | Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij. |
| 12. | Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin. |
| 13. | Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak. |
| 14. | Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç'murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij? |
| ← Job (26/42) → |