← Job (22/42) → |
1. | Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha: |
2. | "A mundet vallë njeriu t'i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes. |
3. | Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme? |
4. | Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty? |
5. | Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta? |
6. | Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre. |
7. | Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit. |
8. | Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar. |
9. | E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur. |
10. | Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë, |
11. | ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt. |
12. | A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen! |
13. | Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur? |
14. | Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve". |
15. | A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij, |
16. | që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte? |
17. | Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?". |
18. | Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve. |
19. | Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta; |
20. | po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet. |
21. | Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie. |
22. | Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde. |
23. | Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua |
24. | dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit, |
25. | atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi. |
26. | Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë. |
27. | Do t'i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur. |
28. | Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita. |
29. | Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin |
30. | dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua". |
← Job (22/42) → |