← Job (21/42) → |
1. | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: |
2. | "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni. |
3. | Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua. |
4. | A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet? |
5. | Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë. |
6. | Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet. |
7. | Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre? |
8. | Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre. |
9. | Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta. |
10. | Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar. |
11. | Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle. |
12. | Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit. |
13. | I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol. |
14. | Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua. |
15. | Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t'i shërbejmë? Ç'përfitojmë veç kësaj kur e lusim?". |
16. | Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje. |
17. | Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij? |
18. | A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia? |
19. | Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë. |
20. | Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit! |
21. | Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur? |
22. | A mundet ndokush t'i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart? |
23. | Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt; |
24. | ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët. |
25. | Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën. |
26. | Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë. |
27. | Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje. |
28. | Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?". |
29. | Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre? |
30. | Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit. |
31. | Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë? |
32. | Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij. |
33. | Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para. |
34. | Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?". |
← Job (21/42) → |