← Job (20/42) → |
1. | Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha: |
2. | "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime. |
3. | Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj. |
4. | A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë, |
5. | triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast? |
6. | Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë, |
7. | ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?". |
8. | Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate. |
9. | Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më. |
10. | Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij. |
11. | Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të. |
12. | Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë, |
13. | nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë. |
14. | Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij. |
15. | Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku. |
16. | Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë. |
17. | Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë. |
18. | Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij. |
19. | Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar. |
20. | Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë. |
21. | Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë. |
22. | Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij. |
23. | Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë. |
24. | Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi. |
25. | Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri. |
26. | Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth. |
27. | Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij. |
28. | Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij. |
29. | Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia. |
← Job (20/42) → |