| ← Job (18/42) → |
| 1. | Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha: |
| 2. | "Kur do t'u japësh fund fjalëve? Bëhu i zgjuar dhe pastaj flasim. |
| 3. | Pse jemi konsideruar si kafshë dhe jemi konsideruar të përçmuar në sytë e tu? |
| 4. | Ti që ha veten nga zemërimi, a duhet të braktiset toka për shkakun tënd apo shkëmbi të luajë nga vendi i tij? |
| 5. | Po, drita e të keqit shuhet dhe flaka e zjarrit të tij nuk ndrit më. |
| 6. | Drita në çadrën e tij po meket dhe llamba e tij mbi të po shuhet. |
| 7. | Hapat e tij të fuqishëm shkurtohen dhe vetë planet e tij po e çojnë në greminë. |
| 8. | Sepse këmbët e tij e shtyjnë në rrjetë dhe ai do të bjerë në ndonjë lak. |
| 9. | Një çark e kap nga thembra dhe një lak e mban fort. |
| 10. | Për të ka një lak të fshehur në tokë dhe një çark të vënë në shteg. |
| 11. | Gjëra të tmerrshme e trembin nga çdo anë dhe e ndjekin në çdo hap. |
| 12. | Forca e tij pakësohet për shkak të urisë dhe shkatërrimi është gati ta godasë anash. |
| 13. | Gëlltit copa të lëkurës së tij; i parëlinduri i vdekjes gllabëron gjymtyrët e tij. |
| 14. | Atë e rrëmbejnë nga çadra tij që e dinte të sigurt dhe e çojnë para mbretit të tmerrit. |
| 15. | Në çadrën e tij banon ai që nuk është nga të vetët, dhe mbi shtëpinë e tij hedhin squfur. |
| 16. | Rrënjët poshtë thahen dhe degët lart priten. |
| 17. | Kujtimi i tij zhduket nga toka dhe emri i tij nuk do të përmendet më nëpër rrugë. |
| 18. | Ai shtyhet nga drita në terr dhe atë e përzënë nga bota. |
| 19. | Nuk ka as bij, as pasardhës në popullin e tij dhe asnjë që të mbijetojë në banesën e tij. |
| 20. | Fundi i tij i lë të habitur ata që e kanë ndjekur dhe mbeten të tmerruar ata që e kanë pararendur. |
| 21. | Pikërisht kështu janë banesat e njerëzve të këqij, dhe ky është vendi i atij që nuk e njeh Perëndinë". Përgjigja e pestë e Jobit; ai e ndjen veten të përqeshur; gjithçka është kundër tij |
| ← Job (18/42) → |