← Job (16/42) → |
1. | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: |
2. | "Gjëra të tilla kam dëgjuar shumë! Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm! |
3. | Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe? Ose çfarë të shtyn të përgjigjesh? |
4. | Edhe unë mund të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim; do të mund të radhitja fjalë kundër jush duke tundur kokën time kundër jush. |
5. | Por do t'ju jepja kurajo me gojën time dhe ngushëllimi i buzëve të mia do ta lehtësonte dhembjen tuaj. |
6. | Në rast se flas, dhembja ime nuk pakësohet, në qoftë se nuk flas më, çfarë lehtësimi kam? |
7. | Por tani ai më ka çuar në pikën e fundit të forcave të mia. Ti ke shkatërruar tërë familjen time; |
8. | më ke mbuluar me rrudha dhe kjo dëshmon kundër meje, dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje. |
9. | Zemërimi i tij më grin dhe më përndjek, kërcëllin dhëmbët kundër meje; Armiku im mpreh shikimin mbi mua. |
10. | Duke hapur gojën e tyre kundër meje, ata më godasin me përçmim mbi faqet, mblidhen tok kundër meje. |
11. | Perëndia më ka dhënë në duart e të pabesëve, më ka dorëzuar në duart e njerëzve të këqij. |
12. | Jetoja i qetë, por ai më shkatërroi, më kapi për qafe dhe më bëri copë-copë, dhe më shndërroi në objekt goditjeje. |
13. | Harkëtarët e tij më rrethojnë në çdo anë, më shpon pa mëshirë veshkat, derdh për tokë vrerin tim. |
14. | Ai më sulmon vazhdimisht me forcë, më sulet si një luftëtar. |
15. | kam qepur një grathore mbi lëkurën time, e kam ulur ballin tim në pluhur, |
16. | Fytyra ime është e kuqe nga të qarat dhe mbi qepallat e mia po zë vend hija e vdekjes, |
17. | megjithëse nuk ka asnjë dhunë në duart e mia, dhe lutja ime është e pastër. |
18. | O tokë, mos e mbulo gjakun tim, dhe britma ime mos gjeftë asnjë vend qetësimi. |
19. | Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart. |
20. | Shokët e mi më përqeshin, por sytë e mi derdhin lotë përpara Perëndisë. |
21. | Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij. |
22. | Do të kalojnë në të vërtetë edhe pak vjet akoma dhe unë do të shkoj pastaj në një rrugë pa kthim. |
← Job (16/42) → |