← Job (14/42) → |
1. | "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. |
2. | Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë. |
3. | Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty. |
4. | Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush. |
5. | Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t'i kapërcejë. |
6. | Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat. |
7. | Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë. |
8. | Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe, |
9. | me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë. |
10. | Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra? |
11. | Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet, |
12. | por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij. |
13. | Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje! |
14. | Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim. |
15. | Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua. |
16. | Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia; |
17. | do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim. |
18. | Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij, |
19. | ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut. |
20. | Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon. |
21. | Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re. |
22. | Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij. |
← Job (14/42) → |