| ← Job (13/42) → | 
| 1. | "Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi. | 
| 2. | Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush. | 
| 3. | Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë; | 
| 4. | sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë. | 
| 5. | Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj. | 
| 6. | Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia. | 
| 7. | A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime? | 
| 8. | A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë? | 
| 9. | Do të ishte më mirë për ju që ai t'ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri? | 
| 10. | Me siguri ai do t'ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi. | 
| 11. | Madhëria e tij vallë a nuk do t'ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju? | 
| 12. | Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila. | 
| 13. | Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë. | 
| 14. | Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia? | 
| 15. | Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim. | 
| 16. | Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij. | 
| 17. | Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj. | 
| 18. | Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë. | 
| 19. | Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja. | 
| 20. | Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t'i fshihem pranisë sate; | 
| 21. | largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë. | 
| 22. | Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh. | 
| 23. | Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim! | 
| 24. | Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd? | 
| 25. | Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë? | 
| 26. | Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime? | 
| 27. | Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia, | 
| 28. | Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola". | 
| ← Job (13/42) → |