| ← Job (12/42) → |
| 1. | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: |
| 2. | "Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju. |
| 3. | Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto? |
| 4. | Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë. |
| 5. | Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët. |
| 6. | Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre. |
| 7. | Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë, |
| 8. | ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë. |
| 9. | Midis tërë këtyre krijesave, cila nuk e di që dora e Zotit i ka bërë këto? |
| 10. | Ai ka në dorë të tij jetën e çdo gjallese dhe frymën e çdo qenieje njerëzore. |
| 11. | Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet? |
| 12. | Ndër pleqtë gjejmë diturinë, dhe gjatësia e ditëve u jep edhe gjykimin. |
| 13. | Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi. |
| 14. | Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t'ia hapë. |
| 15. | Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t'i lërë të lira, përmbytin tokën. |
| 16. | Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron. |
| 17. | Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend. |
| 18. | Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre. |
| 19. | I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit. |
| 20. | I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë. |
| 21. | Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve. |
| 22. | Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes. |
| 23. | I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon. |
| 24. | U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë. |
| 25. | Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur". |
| ← Job (12/42) → |