| ← Job (10/42) → | 
| 1. | "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim! | 
| 2. | Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua. | 
| 3. | A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij? | 
| 4. | A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu? | 
| 5. | A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu, | 
| 6. | sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim, | 
| 7. | megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote? | 
| 8. | Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh. | 
| 9. | Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur! | 
| 10. | A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi? | 
| 11. | Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva. | 
| 12. | Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time, | 
| 13. | por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë. | 
| 14. | Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim. | 
| 15. | Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim. | 
| 16. | Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje. | 
| 17. | Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë. | 
| 18. | Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu! | 
| 19. | Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr. | 
| 20. | A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten; | 
| 21. | para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes, | 
| 22. | të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira". | 
| ← Job (10/42) → |