Job (1/42) → |
1. | Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes. |
2. | I kishin lindur shtatë bij dhe tri bija. |
3. | Veç kësaj zotëronte shtatë mijë dele, tre mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomarë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. Kështu ky njeri ishte më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes. |
4. | Bijtë e tij kishin zakon të shkonin për banket në shtëpinë e secilit ditën e cakuar; dhe dërgonin të thërrisnin tri motrat e tyre, që të vinin të hanin dhe të pinin bashkë me ta. |
5. | Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t'i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: "Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre". Kështu bënte Jobi çdo herë. |
6. | Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satanai. |
7. | Zoti i tha Satanait: "Nga vjen?". Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë". |
8. | Zoti i tha Satanait: "E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t'i largohet së keqes". |
9. | Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia? |
10. | A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend. |
11. | Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi". |
12. | Zoti i tha Satanait: "Ja, të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij". Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit. |
13. | Kështu një ditë ndodhi që, ndërsa bijtë e tij dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, erdhi nga Jobi një lajmëtar për t'u thënë: |
14. | Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër, |
15. | kur Sabejtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them". |
16. | Ai ishte duke folur ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them". |
17. | Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Kaldeasit kanë formuar tri banda, u sulën mbi devetë dhe i morën me vete, vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them". |
18. | Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëlliat të tyre më të madh, |
19. | kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them". |
20. | Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra pëmbys dhe adhuroi, |
21. | dhe tha: "Lakuriq dolla nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit". |
22. | Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi. |
Job (1/42) → |