← Jeremiah (6/52) → |
1. | "O bij të Beniaminit, kërkoni një strehë jashtë Jeruzalemit. I bini borisë në Tekoa dhe ngrini një sinjal zjarri në Beth-kerem, sepse nga veriu po vjen një gjëmë, një shkatërrim i madh. |
2. | Unë do ta shkatërroj bijën e bukur dhe delikate të Sionit. |
3. | Në drejtim të saj vijnë barinj me kopetë e tyre; ngrenë çadrat e tyre rreth e qark kundër saj; secili kullot për veten e tij. |
4. | Përgatitni luftën kundër saj; çohuni dhe le të dalim në mes të ditës! Mjerë ne, sepse dita po kalon dhe hijet e mbrëmjes po zgjaten! |
5. | Çohuni dhe të dalim natën, të shkatërrojmë pallatet e tij!". |
6. | Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Prisni drurët e tij dhe ndërtoni një ledh kundër Jeruzalemit; ky është qyteti që duhet ndëshkuar; në mes të tij nuk ka veçse shtypje. |
7. | Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë. |
8. | Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar". |
9. | Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë. |
10. | Kujt do t'i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi. |
11. | Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite. |
12. | Shtëpitë e tyre do t'u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit", thotë Zoti. |
13. | "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë. |
14. | Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe", kur nuk ka paqe. |
15. | A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç'ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t'i vizitoj, do të rrëzohen", thotë Zoti. |
16. | Kështu thotë Zoti: "Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj". Por ata përgjigjen: "Nuk do të ecim nëpër të". |
17. | "Kam vënë roje mbi ju: Kushtojini kujdes zërit të borisë!". Por ata përgjigjen: "Nuk do t'i kushtojmë kujdes". |
18. | "Prandaj, dëgjoni, o kombe, dhe dije, o kuvend, çfarë do t'u ndodhë atyre. |
19. | Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë. |
20. | Ç'më hyn në punë temjani që vjen nga Sheba, kanella erë mirë që vjen nga një vend i largët? Olokaustet tuaja nuk më pëlqejnë dhe sakrificat tuaja nuk më pëlqejnë". |
21. | Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të vendos para këtij populli disa gurë pengese në të cilët do të pengohen bashkë etër dhe bij; fqinji dhe miku do të vdesin". |
22. | Kështu thotë Zoti: "Ja, një popull vjen nga një vend i veriut dhe një komb i madh do të dalë nga skajet e tokës. |
23. | Ata rrokin harkun dhe ushtën; janë të egër dhe nuk kanë mëshirë; zëri i tyre i ngjet zhurmës së detit; ata kanë hipur mbi kuaj dhe janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Sionit". |
24. | "Kemi dëgjuar famën e tyre dhe na ranë duart; ankthi na ka mbërthyer, ashtu si dhembjet që zënë një grua që po lind". |
25. | Mos dilni nëpër ara, mos ecni nëpër rrugë, sepse shpata e armikut dhe tmerri janë kudo. |
26. | O bijë e popullit tim, vishu me thes dhe rrotullohu në hi; mbaj zi si për një bir të vetëm, me një vajtim shumë të hidhur, sepse shkatërruesi do të sulet mbi ne papritmas. |
27. | Unë të kisha vënë midis popullit tim si një provues dhe një fortesë, me qëllim që ti të njihje rrugën e tyre dhe ta provoje atë. |
28. | Ata janë të gjithë rebelë midis rebelëve, shkojnë rreth e qark duke përhapur shpifje; janë bronz dhe hekur, janë të tërë korruptues. |
29. | Gjyryku fryn me forcë, plumbi konsumohet nga zjarri; më kot e rafinon rafinuesi, sepse skorjet nuk shkëputen. |
30. | Do të quhen "argjend i refuzimit", sepse Zoti i ka hedhur poshtë. |
← Jeremiah (6/52) → |