← Jeremiah (52/52) |
1. | Sedekia ishte njëzetenjë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, e bija e Jeremias nga Libnahu. |
2. | Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha gjërat ashtu si kishte bërë Jehojakimi. |
3. | Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, që më në fund i dëboi nga prania e tij. Pastaj Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë. |
4. | Në vitin e nëntë të mbretërimit të tij, në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, fushoi kundër tij dhe ndërtoi rreth e rrotull ledhat. |
5. | Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia. |
6. | Në muajin e katërt, më nëntë të muajit, uria ishte aq e rëndë në qytet, sa që nuk kishte më bukë për popullin e vendit. |
7. | Atëherë u hap një e çarë në muret dhe të gjithë luftëtarët ikën, duke dalë natën nga qyteti nëpër portën midis dy mureve, e cila ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu ata morën rrugën e Arabahut. |
8. | Por ushtria e Kaldeasve ndoqi mbretin, e arriti Sedekian në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij po shpërndahej larg tij. |
9. | Kështu ata zunë mbretin dhe e çuan në Riblah, në vendin e Hamathit te mbreti i Babilonisë, që shqiptoi vendimin kundër tij. |
10. | Mbreti i Babilonisë vrau pastaj bijtë e Sedekias para syve të tij dhe vrau gjithashtu tërë princat e Judës në Riblah; |
11. | pastaj i nxori sytë Sedekias. Mbreti i Babilonisë e lidhi me pranga prej bronzi, e çoi në Babiloni dhe e futi në burg deri ditën e vdekjes së tij. |
12. | Muajin e pestë, më dhjetë të muajit (që ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë), Nebuzaradani, komandanti i rojeve personale në shërbim të mbretit të Babilonisë, arriti në Jeruzalem. |
13. | Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe shtëpinë e mbretit dhe u vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit dhe tërë shtëpive të fisnikëve. |
14. | Tërë ushtria e Kaldeasve që ishte me komandantin e rojeve rrëzoi të gjitha muret rreth e qark Jeruzalemit. |
15. | Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, internoi pjesën më të varfër të popullit; pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që kishin kaluar në shërbim të mbretit të Babilonisë dhe kusurin e popullsisë. |
16. | Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la disa nga më të varfrit e vendit të punojnë vreshtat dhe arat. |
17. | Kaldeasit i copëtuan shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit dhe e çuan bronzin në Babiloni. |
18. | Ata morën edhe tiganët, kunjat, thikat, legenët, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin në shërbimin e tempullit. |
19. | Komandanti i rojes mori gjithashtu kupat, mangallët, legenët, shandanet, tasat dhe kupat, arin e sendet që ishin prej ari të kulluar dhe argjendin e kulluar. |
20. | Sa për dy kolonat, për detin dhe për të dymbëdhjetë qetë prej bronzi që ishin poshtë tij dhe për qerret që Salomoni kishte bërë për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre sendeve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej. |
21. | Për sa u përket shtyllave, lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; dhe duhej një fill prej dymbëdhjetë kubitësh për të matur rrethin e tyre; trashësia e saj ishte katër gishtërinj; nga brenda ishte bosh. |
22. | Mbi të ngrihej një kapitel prej bronzi, lartësia e një kapiteli ishte pesë kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë, të gjitha prej bronzi. Shtylla tjetër me shegë, ishte e njëllojtë me të. |
23. | Rreth e qark kishte nëntëdhjetë e gjashtë shegë dhe tërë shegët rrotull rrjetëzës arrinin në njëqind. |
24. | Komandanti i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonian, priftin e dytë, dhe tre rojtarë të portës. |
25. | Nga qyteti ai mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët, shtatë burra ndër këshilltarët personalë të mbretit që u gjetën në qytet, sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit dhe gjashtëdhjetë burra nga populli i vendit që u gjetën në qytet. |
26. | Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah, |
27. | dhe mbreti i Babilonisë i vrau në Riblah, në vendin e Hamathit. |
28. | Kështu Juda u çua në robëri larg vendit të tij. Ky është populli që Nebukadnetsari internoi vitin e shtatë: tremijë e njëzet e tre Judej. |
29. | Në vitin e tetëmbëdhjetë të Nebukadnetsarit u shpërngulën nga Jeruzalemi tetëqind e tridhjet e dy veta. |
30. | Në vitin e njëzetë e tretë të Nebukadnetsarit, Nebuzaradani, komandanti i rojes, internoi shtatëqind e dyzet e pesë Judej: gjithsej katërmijë e gjashtëqind veta. |
31. | Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakimit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, më pesë të muajit, Evil-Merodaku, mbret i Babilonisë, vitin e parë të mbretërisë së tij e fali |
32. | I foli me dashamirësi dhe vendosi ndenjësen e tij mbi atë të mbretërve që ishin me të në Babiloni. |
33. | Kështu Jehojakimi i ndërroi rrobat e robërisë së tij dhe hëngri gjithnjë bukën në prani të mbretit tërë ditët e jetës së tij. |
34. | Për ushqimin e tij i jepej rregullisht një racion ushqimi nga ana e mbretit të Babilonisë, një racion çdo ditë, deri ditën e vdekjes së tij, tërë ditët e jetës së tij. |
← Jeremiah (52/52) |