← Jeremiah (41/52) → |
1. | Në muajin e shtatë ndodhi që Ishmaeli, biri i Nethaniahut, bir i Elishamas, nga fisi mbretëror dhe një ndër funksionarët e mbretit, erdhi me dhjetë njerëz te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah dhe hëngrën bashkë. |
2. | Pastaj Ishameli, bir i Nethaniahut, u ngrit me dhjetë burra që ishin me të dhe goditën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit. Kështu ata vranë atë që ishte caktuar nga mbreti i Babilonisë si qeveritar i vendit. |
3. | Ishmaeli vrau gjithashtu tërë Judejtë që ishin me Gedaliahun në Mitspah dhe Kaldeasit, luftëtarë që ndodheshin atje. |
4. | Të nesërmen e ditës që kishte vrarë Gedaliahun, kur akoma askush nuk e dinte këtë gjë, |
5. | ndodhi që erdhën disa nga Sikemi, nga Shilohu dhe nga Samaria, tetëdhjetë burra me mjekër të rruar, me rroba të grisura dhe me prerje në trup; ata mbanin në duart e tyre ofertat dhe temjanin që do të paraqitnin në shtëpinë e Zotit. |
6. | Ishmaeli, bir i Nethaniahut u doli përballë në Mitspah duke vajtuar ndërsa po ecte. Kur i takoi u tha: "Ejani te Gedaljahu, bir i Ahikamit". |
7. | Por kur arritën në mes të qytetit, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, tok me njerëzit që kishte me vete, i vrau dhe i hodhi në mes të një sterne. |
8. | Por ndër ta kishte dhjetë burra që i thanë Ishmaelit: "Mos na vrit, sepse në fushat kemi rezerva të fshehura gruri, elbi, vaji dhe mjalti". Atëherë ai u përmbajt dhe nuk i vrau me vëllezërit e tyre. |
9. | Çisterna në të cilën Ishmaeli hodhi tërë kufomat e njerëzve që kishte vrarë bashkë me Gedaliahun është ajo që mbreti Asa kishte ndërtuar nga frika e Baashas, mbretit të Izraelit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, e mbushi me të vrarë. |
10. | Pastaj Ishmaeli i çoi si robër tërë ata që kishin mbetur nga populli që gjendej në Mitspah: vajzat e mbretit dhe tërë popullin që kishte mbetur në Mitspah dhe mbi të cilin Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, i çoi si robër dhe u nis për të shkuar tek Amonitët. |
11. | Por kur Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të mësuan tërë të keqen që kishte bërë Ishmaeli, bir i Nethaniahut, |
12. | morën gjithë njerëzit e tyre dhe shkuan të luftojnë kundër Ishmaelit, birit të Nethaniahut, dhe e gjetën pranë hauzit të madh që është në Gabaon. |
13. | Kur tërë populli që ishte me Ishmaelin pa Johananin, birin e Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të u gëzua. |
14. | Kështu tërë populli që Ishmaeli e kishte sjellë si rob nga Mitspahu u kthye dhe shkoi e u bashkua me Johanianin, birin e Kareahut. |
15. | Por Ishmaeli, biri i Nethaniahut, mundi t'i shpëtojë Johanianit bashkë me tetë burra dhe shkoi tek Amonitët. |
16. | Atëherë Johanani, biri i Kareahut, dhe gjithë komandantët e forcave që ishin me të, morën nga Mitspahu tërë pjesën e popullit, që ishte rimarrë nga Ishameli, biri i Nethaniahut, mbas vrasjes nga ana e tij të Gedaliahut, birit të Ahikamit: luftëtarë trima, gra, fëmijë dhe eunukë që ai kishte sjellë nga Gabaoni. |
17. | Ata u nisën dhe u ndalën në Geruth-Kimhan, që ndodhet në afërsitë e Betlemit, për të vazhduar më pas udhën dhe për të shkuar në Egjipt, |
18. | për shkak të Kaldeasve, sepse ata kishin frikë prej tyre, me qënë se Ishmaeli, bir i Nethaniahut, kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit, që mbreti i Babilonisë kishte emëruar si qeveritar të vendit. |
← Jeremiah (41/52) → |