← Jeremiah (38/52) → |
1. | Shefatiahu bir i Metanit, Gedaliahu bir i Pashhurit, Jukali bir i Pashhurit, Jukali, bir i Shelemiahut, dhe Pashhuri bir i Malkiahut, dëgjuan fjalët që Jeremia i drejtonte tërë popullit, duke thënë: |
2. | "Kështu thotë Zoti: Kush do të mbetet në këtë qytet ka për të vdekur nga shpata, nga uria ose nga murtaja, por ai që do t'u dorëzohet Kaldeasve do të jetojë; do të ketë si pre e tij jetën e tij, por do të jetojë". |
3. | Kështu thotë Zoti: "Ky qytet do të jepet me siguri në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që do ta pushtojë atë". |
4. | Atëherë princat i thanë mbretit: "Ah, le të vritet ky njeri, sepse ligështon duart e njerëzve të luftës që kanë mbetur në këtë qytet, dhe duart e tërë popullit, duke u thënë fjalë të tilla. Ky njeri nuk kërkon mirëqënien e këtij populli, por të keqen e tij". |
5. | Atëherë mbreti Sedekia tha: "Ja ku e keni në duart tuaja, sepse mbreti nuk mund të bëjë asgjë kundër jush". |
6. | Atëherë e morën Jeremian dhe e hodhën në sternën e Malkiahut, birit të mbretit, që ishte në oborrin e burgut; dhe e zbritën në të Jeremian me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por vetëm baltë, dhe Jeremia u fundos në baltë. |
7. | Por Ebed-meleku, Etiopiasi, një eunuk që rrinte në shtëpinë e mbretit, dëgjoi që Jeremian e kishin vënë në sternë. Ndërsa mbreti rrinte ulur te porta e Beniaminit, |
8. | Ebed-meleku doli nga shtëpia e mbretit dhe i foli mbretit, duke i thënë: |
9. | "O mbret, imzot, këta njerëz kanë vepruar keq në tërë ato që i kanë bërë profetit Jeremia, duke e hedhur në sternë; aty brenda ai do të vdesë nga uria, sepse nuk ka më bukë në qytet". |
10. | Atëherë mbreti i dha këtë urdhër Etiopiasit Ebed-melek: "Merr me vete nga këtu tridhjetë burra dhe nxirre jashtë profetin Jeremia nga sterna para se të vdesë". |
11. | Kështu Ebed-meleku mori me vete burrat, hyri në shtëpinë e mbretit duke kaluar poshtë vendit të thesarit, mori andej rroba dhe lecka të konsumuara dhe ia zbriti me litarë Jeremias në sternë. |
12. | Pastaj Ebed-meleku Etiopiasi i tha Jeremias: "Oh, vëri këto rroba dhe lecka të konsumuara poshtë sqetullave, poshtë litarëve". Jeremia veproi ashtu. |
13. | Kështu e tërhoqën lart Jeremian me anë të litarëve dhe e bënë të dalë nga sterna. Pastaj Jeremia mbeti në kopshtin e burgut. |
14. | Atëherë mbreti Sedekia dërgoi të marrin profetin Jeremia dhe e bëri të vijë në hyrjen e tretë të shtëpisë të Zotit. Mbreti i tha Jeremias: "Të kërkoj një gjë; mos më fshih asgjë". |
15. | Jeremia iu përgjigj Sedekias: "Po të ta them, me siguri nuk do të bësh që të vdes? Dhe në qoftë se pastaj të jap një këshillë, nuk do të ma dëgjosh". |
16. | Kështu mbreti Sedekia iu betua fshehurazi Jeremias, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, që na ka dhënë këtë jetë, nuk do të bëj të vdesësh dhe nuk do të dorëzoj në dorën e këtyre njerëzve që kërkojnë jetën tënde". |
17. | Atëherë Jeremia i tha Sedekias: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në rast se u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, do të shpëtosh jetën tënde; ky qytet nuk do të digjet dhe ti do të jetosh me shtëpinë tënde; |
18. | por në rast se nuk do t'u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t'u lihet në dorë Kaldeasve që do t'i vënë flakën, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre". |
19. | Mbreti Sedekia i tha Jeremias: "Kam frikë nga Judejtë që kaluan nga ana e Kaldeasve, kam frikë se mos më japin në duart e tyre dhe të më keqtrajtojnë". |
20. | Por Jeremia iu përgjigj: "Nuk do të të dorëzojnë në duart e tyre. Oh, dëgjo zërin e Zotit në atë që të them; kështu do të të ecë mbarë dhe do të jetosh. |
21. | Por në rast se ti refuzon të dalësh, kjo është ajo që Zoti më ka treguar: |
22. | Ja, të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës do të çohen te princat e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë: "Miqtë e tu të ngushtë të kanë bërë për vete dhe kanë sunduar mbi ty; këmbët e tua janë fundosur në baltë dhe ata të kanë kthyer kurrizin". |
23. | Të gjitha bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu do të çohen te Kaldeasit dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre, por do të të zënë dhe do të të dorëzojnë në duart e mbretit të Babilonisë dhe këtij qyteti do t'i vihet zjarri". |
24. | Sedekia i tha Jeremias: Askush të mos i dijë këto fjalë dhe ti nuk ke për të vdekur. |
25. | Por në rast se princat do të mësojnë që kam folur me ty dhe do të vijnë te ti për të të thënë: "Na njofto çfarë i ke thënë mbretit dhe atë që mbreti të ka thënë ty, mos na fshih asgjë dhe nuk do të të bëjmë të vdesësh", |
26. | do t'u përgjigjesh atyre: "I paraqita kërkesën time mbretit, që të mos më kthente në shtëpinë e Jonathanit për të vdekur"". |
27. | Tërë princat erdhën te Jeremia dhe e morën në pyetje, por ai u përgjigj duke iu përmbajtur tërë fjalëve që mbreti kishte urdhëruar; prandaj e lanë të qetë, nuk mësuan asgjë nga biseda. |
28. | Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jeruzalemi. Dhe ai ishte atje kur u shti në dorë Jeruzalemi. |
← Jeremiah (38/52) → |