← Jeremiah (29/52) → |
1. | Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremia i dërgoi nga Jeruzalemi pleqve që kishin mbetur në robëri, priftërinjve, profetëve dhe tërë popullit që Nebukadnetsari kishte çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni. |
2. | (Kjo ndodhi mbasi dolën nga Jeruzalemi mbreti Jekoniah, mbretëresha, eunukët, princat e Judës dhe të Jeruzalemit, zejtarët dhe kovaçët). |
3. | Letra u dërgua me anë të Elasahut, birit të Shafanit, dhe me anë të Gemariahut, birit të Hilkiahut, që Sedekia, mbret i Judës, kishte dërguar në Babiloni te Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë. Ajo thoshte: |
4. | "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, tërë të internuarve që unë kam çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni: |
5. | Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre. |
6. | Merrni gra dhe bëni bij dhe bija, merrni gra për bijtë tuaj dhe martojini vajzat tuaja që të lindin bij dhe bija, me qëllim që atje të shumoheni dhe të mos pakësoheni. |
7. | Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij. |
8. | Kështu thotë në të vërtetë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Të mos ju mashtrojnë profetët dhe shortarët tuaj që janë midis jush, mos merrni parasysh ëndrrat që shikoni. |
9. | Sepse ju profetizojnë në mënyrë të rreme në emrin tim; unë nuk i kam dërguar", thotë Zoti. |
10. | "Kështu thotë Zoti: Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t'ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend. |
11. | Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju", thotë Zoti, "mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t'ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë. |
12. | Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t'ju kënaq. |
13. | Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj. |
14. | Unë do të bëj që ju të më gjeni", thotë Zoti, "dhe do t'ju kthej nga robëria juaj; do t'ju mbledh nga të gjitha kombet dhe nga të gjitha vendet ku ju kam shpërndarë", thotë Zoti; "dhe do t'ju çoj përsëri në vendin prej të cilit ju çova në robëri. |
15. | Sepse thoni: "Zoti na ka ngjallur profetë në Babiloni", |
16. | kështu thotë Zoti për mbretin që rri mbi fronin e Davidit, për këtë popullin që banon në këtë qytet, për vëllezërit tuaj që nuk kanë shkuar bashkë me ju në robëri"; |
17. | po, kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, dhe do t'i bëj si fiq të neveritshëm që nuk mund të hahen sepse janë shumë të këqij. |
18. | Do t'i ndjek me shpatën, me urinë dhe me murtajën; do të bëj që të trajtohen keq në të gjitha mbretëritë e tokës dhe të jenë një mallkim, një objekt habie, një tallje dhe një turp midis kombeve ku i kam shpërndarë, |
19. | sepse nuk i kanë dëgjuar fjalët e mia", thotë Zoti, "që unë u dërgova atyre me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve, me urgjencë dhe këmbëngulje; por ju nuk më keni dëgjuar", thotë Zoti. |
20. | Dëgjoni, pra, fjalën e Zotit, o ju të gjithë, që unë dërgova në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni! |
21. | Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për Ashabin, birin e Kolajahut, dhe për Sedekian, birin e Maasejahut, që ju profetizojnë gënjeshtra në emrin tim: Ja, unë do t'i lë në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ai do t'i vrasë para syve tuaj. |
22. | Prej tyre do të nxirret një formulë mallkimi që do të përdoret nga të gjithë ata që janë në robëri në Babiloni, dhe do të thuhet: "Zoti të trajtoftë si Sedekian dhe Ashabin, që mbreti i Babilonisë ka pjekur në zjarr!" |
23. | Sepse ata kanë kryer gjëra të turpshme në Izrael, kanë shkelur kurorën me gratë e të afërmve të tyre, kanë shqiptuar në emrin tim fjalë të rreme, që nuk u kisha urdhëruar atyre. Unë vetë e di dhe jam dëshmitar i tyre, thotë Zoti. |
24. | Do të flasësh gjithashtu me Shemajahun, Nehelamitin, duke thënë: |
25. | Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ti ke dërguar në emrin tënd letra tërë popullit që është në Jeruzalem, priftit Sofonia, birit të Maasejahut, dhe të gjithë priftërinjve, duke thënë: |
26. | "Zoti të ka caktuar prift në vend të priftit Jehojada, me qëllim që të ketë kryeintendentë në shtëpinë e Zotit për të mbikqyrur çdo njeri të marrë që bën profetin, me qëllim që ti ta futësh në burg dhe ta mbash në pranga". |
27. | Dhe tani pse nuk e ke qortuar Jeremian nga Anathothi që bën profetin midis jush? |
28. | Në fakt ai na ka dërguar fjalë në Babiloni: "Robëria do të jetë e gjatë, ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre"". |
29. | Prifti Sofonia e lexoi këtë letër në prani të profetit Jeremia. |
30. | Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë: |
31. | "Dërgo t'u thuash tërë atyre që janë në robëri: Kështu flet Zoti për Shemajahun, Nehelamitin: Duke qenë se Shemajahu ju ka profetizuar, megjithëse unë nuk e kam dërguar, dhe ka bërë të keni besim te gënjeshtra, |
32. | kështu thotë Zoti: Ja, unë do të dënoj Shemajahun, Nehelamitin, dhe pasardhësit e tij; nuk do të ketë asnjërin prej pasardhësve të tij që të banojë në mes të këtij populli, dhe nuk ka për të parë të mirën që unë do t'i bëj popullit tim, thotë Zoti, sepse ka folur për rebelim kundër Zotit". |
← Jeremiah (29/52) → |