← Jeremiah (26/52) → |
1. | Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, nga Zoti iu drejtua kjo fjalë duke thënë: |
2. | "Kështu thotë Zoti: Paraqitu në oborrin e shtëpisë të Zotit dhe u thuaj tërë qyteteve të Judës që vijnë për të adhuruar në shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që të kam porositur t'u thuash atyre; mos lër as edhe një fjalë. |
3. | Ndofta do të dëgjojnë dhe secili do të largohet nga rruga e tij e keqe, dhe unë do të pendohem për të keqen që mendoj t'u shkaktoj atyre për ligësinë e veprimeve të tyre. |
4. | Ti do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Në rast se nuk dëgjoni duke ecur sipas ligjit tim që kam vënë para jush |
5. | dhe duke u kushtuar kujdes fjalëve të shërbëtorëve të mi, të profetëve, që ju kam dërguar me urgjencë dhe këmbëngulje (por që ju nuk i keni dëgjuar), |
6. | unë do ta bëj këtë tempull si Shilohun dhe do ta kthej këtë qytet në një mallkim për të gjitha kombet e tokës". |
7. | Kështu priftërinjtë, profetët dhe tërë populli dëgjuan Jeremian që shqiptonte këto fjalë në shtëpinë e Zotit. |
8. | Dhe ndodhi që, sapo Jeremia mbaroi së shqiptuari tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar t'i thoshte gjithë popullit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli e kapën dhe i thanë: "Ti duhet të vdesësh! |
9. | Pse ke profetizuar në emër të Zotit, duke thënë: "Ky tempull do të jetë si Shilohu dhe ky qytet do të shkatërrohet dhe do të jetë pa banorë"?". Tërë populli u mblodh kundër Jeremias në shtëpinë e Zotit. |
10. | Kur princat e Judës dëgjuan këto gjëra, u ngjitën nga shtëpia e mbretit në shtëpinë e Zotit dhe u ulën në hyrje të portës së re të shtëpisë të Zotit. |
11. | Pastaj priftërinjtë dhe profetët u folën princave dhe tërë popullit, duke thënë: "Ky njeri meriton vdekjen, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti, siç e keni dëgjuar me veshët tuaj". |
12. | Atëherë Jeremia u foli tërë princave dhe të gjithë popullit, duke thënë: "Zoti më ka dërguar të profetizoj kundër kësaj shtëpie dhe kundër këtij qyteti tërë gjërat që keni dëgjuar. |
13. | Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush. |
14. | Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë. |
15. | Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajmë mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t'u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë". |
16. | Atëherë princat dhe tërë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: "Ky njeri nuk meriton vdekjen, sepse na ka folur në emër të Zotit, Perëndisë tonë". |
17. | Pastaj u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i folën tërë kuvendit të popullit, duke thënë: |
18. | "Mikea, Morashtiti, profetizoi në ditët e Ezekias, mbretit të Judës, dhe i foli tërë popullit të Judës, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Sioni do të lërohet si një fushë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar". |
19. | A e dënuan vallë me vdekje Ezekian, mbretin e Judës, dhe tërë Judën? A nuk pati frikë nga Zoti dhe a nuk iu lut vallë fytyrës së Zotit, dhe kështu Zoti u pendua për të keqen që kishte shqiptuar kundër tyre? Ne jemi duke bërë përkundrazi një të keqe të madhe kundër vetes sonë". |
20. | Pati edhe një njeri tjetër që profetizoi në emër të Zotit. Uria, biri i Shemajahut, nga Kiriath-Jearimi; ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi me fjalë krejt të ngjashme me ato të Jeremias. |
21. | Kur mbreti Jehojakim, tërë njerëzit e tij trima dhe tërë princat e tij dëgjuan fjalët e tij, mbreti kërkoi ta dënojë me vdekje, por Uria e mori vesh dhe u frikësua; prandaj ua mbathi këmbëve dhe shkoi në Egjipt. |
22. | Atëherë mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnathanin, biri i Akborit, dhe njerëz të tjerë me të në Egjipt. |
23. | Këta e nxorën Urian nga Egjipti dhe e çuan te mbreti Jehojakim, që e goditi me shpatë dhe e hodhi kufomën e tij midis varreve të bijve të popullit. |
24. | Por dora e Ahikamit, birit të Shafanit, ishte me Jeremian, me qëllim që të mos e dorëzonin në duart e popullit dhe të mos dënohej me vdekje. |
← Jeremiah (26/52) → |