← Jeremiah (12/52) → |
1. | Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi? |
2. | I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre. |
3. | Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zmrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë! |
4. | Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: "Ai nuk do ta shikojë fundin tonë". |
5. | Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet? |
6. | Sepse edhe vëllezërit e tu dhe shtëpia e atit tënd kanë vepruar në mënyrë të pabesë ndaj teje; edhe ata të bërtasin nga pas me zë të lartë. Mos ki besim tek ata kur do të thonë fjalë të mira. |
7. | Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij. |
8. | Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva. |
9. | Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t'i gëlltisin! |
10. | Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar. |
11. | E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të. |
12. | Mbi të gjitha lartësitë e shkretëtirës kanë arritur shkatërruesit dhe shpata e Zotit e përpin vendin nga një skaj në skajin tjetër të tij; asnjë mish nuk ka paqe. |
13. | Kanë mbjellë grurë, por korrin gjemba; janë lodhur, por pa asnjë përfitim. Do t'u vijë turp nga korrja juaj, për shkak të zemërimit të fortë të Zotit! |
14. | Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: "Ja, do t'i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre. |
15. | Por ka për të ndodhur që, pasi t'i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij. |
16. | Dhe ka për të ndodhur që, në rast se mësojnë me kujdes rrugët e popullit tim dhe në se betohen me emrin tim, duke thënë: "Zoti rron", ashtu siç e kanë mësuar popullin tim të betohet për Baalin, do të vendosen mirë e bukur në mes të popullit tim. |
17. | Por në rast se nuk do të dëgjojnë, unë do ta çrrënjos plotësisht atë komb dhe do ta shkatërroj", thotë Zoti. |
← Jeremiah (12/52) → |