← Isaiah (48/66) → |
1. | Dëgjoni këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që ju thërrasin me emrin e Izraelit dhe që keni dalë nga burimet e Judës, ju që betoheni për emrin e Zotit dhe që përmendni Perëndinë e Izraelit, por jo me të vërtetë dhe me drejtësi. |
2. | Duke qenë se quhen me emrin e qytetit të shenjtë dhe mbështeten mbi Perëndinë e Izraelit, emri i të cilit është Zoti i ushtrive; |
3. | "Unë i shpalla gjërat e kaluara që në fillim; kishin dalë nga goja ime dhe kisha bërë që t'i dëgjonin; pastaj veprova papritmas dhe ato ndodhën. |
4. | Sepse e dija që ishe kokëfortë, që qafa jote ishte një brez i hekurt dhe balli yt prej bronzi, |
5. | t'i kam njoftuar që në fillim, bëra që t'i dëgjosh para se të ndodhnin, që të mos kishe për të thënë: "I ka bërë idhulli im, i ka urdhëruar shëmbëlltyra ime e gdhendur dhe shëmbëlltyra ime e shkrirë". |
6. | Ti e ke dëgjuar dhe e ke parë tërë këtë gjë. A nuk do ta shpallni? Që tani bëj që të dëgjosh gjëra të reja, gjëra të fshehta që ti nuk i njihje. |
7. | Ato janë krijuar tashti dhe jo që në fillim; para ditës së sotme nuk i kishe dëgjuar dhe kështu nuk mund të thuash: "Ja, unë i dija". |
8. | Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë, sepse e dija që ti do të veproje me pabesi dhe që do të quheshe "rebel" që në bark të nënës. |
9. | Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros. |
10. | Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit. |
11. | Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t'ia jap lavdinë time asnjë tjetri". |
12. | "Dëgjomë, o Jakob, dhe Izrael, që unë kam thirrur. Unë jam ai që është; unë jam i pari dhe jam i fundit gjithashtu. |
13. | Dora ime ka themeluar tokën dhe dora ime e djathtë ka shpalosur qiejtë; kur unë i thërras, paraqiten bashkë. |
14. | Mblidhuni, ju të gjithë, dhe dëgjoni! Kush prej tyre ka shpallur këto gjëra? Ai që Zoti dashuron do të kryejë vullnetin e tij kundër Babilonisë dhe do të ngrerë krahun e tij kundër Kaldeasve. |
15. | Unë, unë i fola, po, unë e thirra, e bëra të vijë dhe do të bëj që veprimi i tij të shkojë mbarë. |
16. | Afrohuni tek unë, dëgjoni këtë: "Qysh në fillim nuk fola në fshehtësi; kur këto fakte ndodhnin, unë isha atje. Dhe tani Zoti, Zoti, dhe Fryma e tij më kanë dërguar"". |
17. | Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, i Shenjti i Izraelit: "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. |
18. | Ah, sikur t'u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit. |
19. | Trashëgimia jote do të ishte si rëra dhe ata që kanë lindur nga të përbrëndëshmet e tua do të ishin të pallogaritshëm si kokrrizat e saj; emri i tij nuk do të fshihej as do të shkatërrohej para meje". |
20. | Dilni nga Babilonia, ikni nga Kaldeasit! Me një zë të gëzuar kumtojeni, shpalleni këtë gjë, përhapeni deri në skajet e tokës. Thoni: "Zoti ka çliruar shërbëtorin e tij Jakob". |
21. | Ata nuk patën etje kur i çoi nëpër shkretëtirë. Ai bëri që të burojë për ta ujë nga shkëmbi; e çau shkëmbin dhe dolën ujërat. |
22. | "Nuk ka paqe për të pabesët", thotë Zoti. |
← Isaiah (48/66) → |