← Isaiah (45/66) → |
1. | "Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet: Po, unë do të zgjidh brezat që mbretërit mbajnë në ijë, për të hapur para tij |
2. | Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri. |
3. | Do të të jap thesaret e territ dhe pasuritë e fshehura në vende të fshehta, me qëllim që ti të njohësh që unë jam Zoti, Perëndia i Izraelit, që të thërret me emër. |
4. | Për hir të Jakobit, shërbëtorit im, dhe për hir të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra me emër dhe të dhashë një titull nderi megjithëse ti nuk më njihje. |
5. | Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje, |
6. | me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër. |
7. | Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra". |
8. | Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, Zoti, e kam krijuar këtë. |
9. | Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t'i thotë argjila atij që i jep formë: "Ç'po bën?", a do të thotë vepra jote: "Nuk ka duar?". |
10. | Mjerë ai që i thotë të atit: "Çfarë po lind?". dhe nënës së tij: "Çfarë po pjell?". |
11. | Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: "Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia? |
12. | Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre. |
13. | Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t'i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata", thotë Zoti i ushtrive. |
14. | Kështu thotë Zoti: "Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: "Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër"". |
15. | Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar. |
16. | Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve. |
17. | Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë. |
18. | Sepse kështu thotë Zoti që ka krijuar qiejtë, ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej: "Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër. |
19. | Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: "Më kërkoni kot". Unë, Zoti, them atë që është e drejtë dhe deklaroj gjërat që janë të vërteta. |
20. | Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë. |
21. | Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje. |
22. | Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër. |
23. | Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua. |
24. | Do të thuhet për mua: "Vetëm tek Zoti kam drejtësi dhe forcë"". Tek ai do të vijnë tërë ata që ishin të ndezur me zemërim kundër tij dhe do të turpërohen. |
25. | Në Zoti do të shfajesohen dhe do të përlëvdohen gjithë pasardhësit e Izraelit. |
← Isaiah (45/66) → |