← Isaiah (43/66) → |
1. | Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: "Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua. |
2. | Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë. |
3. | Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty. |
4. | Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate. |
5. | Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t'i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi. |
6. | Do t'i them veriut: "Ktheji", dhe jugut: "Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, |
7. | tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu". |
8. | Nxirr popullin e verbër që megjithatë ka sy, dhe të shurdhër që megjithatë kanë vesh. |
9. | Le të mblidhen bashkë tërë kombet, të grumbullohen popujt! Kush prej tyre mund të njoftojë këtë gjë dhe të na bëjë të dëgjojmë gjërat e kaluara? Le të paraqesin dëshmitarët e tyre për t'u justifikuar; ose le të dëgjojnë dhe të thonë: "Éshtë e vërtetë!". |
10. | Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër. |
11. | Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër. |
12. | Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi. |
13. | Para fillimit të kohës unë jam gjithnjë po ai dhe askush nuk mund të çlirojë njeri nga dora ime; kur unë veproj, kush mund të më pengojë?". |
14. | Kështu thotë Zoti, Çliruesi juaj, i Shenjti i Izraelit: "Për hirin tuaj unë po dërgoj dikë kundër Babilonisë, dhe do të bëj që të ikin të gjithë; kështu Kaldeasit do të ikin me anije duke bërtitur nga dhembja. |
15. | Unë jam Zoti, i Shenjti juaj, krijuesi i Izraelit, mbreti juaj". |
16. | Kështu thotë Zoti që hapi një rrugë në det dhe një shteg midis ujërave të fuqishme, |
17. | që nxorri qerre, kuaj dhe një ushtri të fuqishme; ata dergjen të gjithë së bashku dhe nuk do të ngrihen më; janë asgjësuar dhe janë shuar si një kandil. |
18. | "Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta. |
19. | Ja, unë po bëj një gjë të re; ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara. |
20. | Kafshët e fushave, çakajtë dhe strucat do të më përlëvdojnë, sepse do t'i jap ujë shkretëtirës dhe lumenj vendit të vetmuar për t'i dhënë të pijë popullit tim, të zgjedhurit tim. |
21. | Populli që kam formuar për vetë do të shpallë lëvdimet e mia. |
22. | Por ti nuk më ke kërkuar, o Jakob, përkundrazi je lodhur me mua, o Izrael! |
23. | Nuk më ke sjellë qengjin e olokausteve të tua dhe nuk më ke nderuar me flijimet e tua; nuk të kam detyruar të më shërbesh me oferta ushqimesh, as nuk të kam lodhur duke kërkuar temjan. |
24. | Nuk më ke blerë me para kanellën dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Përkundrazi më ke rënduar me mëkatet e tua, më ke lodhur me paudhësitë e tua. |
25. | Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t'i mbaj mend mëkatet e tua. |
26. | Bëj që të kujtohem, ta diskutojmë bashkë këtë rast, folë, ti vetë për t'u justifikuar. |
27. | Ati yt i parë ka mëkatuar dhe mësuesit e tu kanë ngritur krye kundër meje. |
28. | Prandaj kam ndotur krerët e shenjtërores, kam vendosur shfarosjen e Jakobit dhe turpërimin Izraelit". |
← Isaiah (43/66) → |