← Isaiah (36/66) → |
1. | Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia ndodhi që Senakeribi, mbret i Asirisë, doli kundër qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. |
2. | Mbreti i Asirisë dërgoi Rabshakehun nga Lakishi në Jeruzalem, te mbreti Ezekia, me një ushtri të madhe; ai u ndal pranë ujësjellësit të hauzit të sipërm, në rrugën e arës së larësit. |
3. | Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek ai. |
4. | Rabshakehu u tha atyre: "I thoni Ezekias: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku mbështetet besimi që ke? |
5. | Unë them se këshillë dhe forcë për të bërë luftën nuk janë vetëm fjalë goje; tani që je rebeluar kundër meje te kush ke besim ti? |
6. | Ja, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai. |
7. | Në rast se pastaj më thuaj: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë", a nuk është vallë po ai që Ezekia ka hequr nga vendet e larta dhe nga altarët, duke u thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm para këtij altari"? |
8. | Tani, pra, vër një bast me zotin tim, mbretin e Asirisë; unë do të të jap dy mijë kuaj, në qoftë se ti je në gjendje të sigurosh kalorësit që i hipin. |
9. | Si do të mundje të sprapsësh një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotit tim? Por ti ke besim se Egjipti do të të japë qerre dhe kalorës. |
10. | Dhe tani a kam ardhur vallë kundër këtij vendi pa vullnetin e Zotit për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje"". |
11. | Atëherë Eliakimi, Shebna dhe Joahu i thanë Rabshakehut: "Foli, pra, shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, sepse ne e kuptojmë, por mos na fol në gjuhën hebraike, në mënyrë që ta dëgjojë populli që është mbi muret". |
12. | Por Rabshakehu u përgjigj: "Zoti im, vallë, më ka dërguar t'i them këto fjalë zotit tënd dhe ty, dhe jo pikërisht njerëzve që ndodhen mbi muret, të katandisur të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë urinën e tyre bashkë me ju?". |
13. | Atëherë Rabshakehu u ngrit më këmbë dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraike, duke thënë: "Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, të mbretit të Asirisë! |
14. | Kështu thotë mbreti: "Të mos ju mashtrojë Ezekia, sepse ai nuk mund t'ju çlirojë nga duart e mia; |
15. | as tij bëjë Ezekia që të vendosni besimin tuaj te Zoti, duke thënë: "Me siguri Zoti do të na çlirojë; ky qytet nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë". |
16. | Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: bëni paqe me mua dhe dorëzohuni, dhe secili prej jush do të mund të hajë frytet e vreshtit të tij dhe të fikut të tij, dhe secili do të mund të pijë ujin e sternës së tij, |
17. | deri sa të vijë unë për t'ju çuar në një vend të ngjashëm me tuajin, në një vend gruri dhe mushti, në një vend buke dhe vreshtash. |
18. | Të mos ju mashtroj Ezekia duke thënë: "Zoti do të na çlirojë". A ka mundur ndonjë prej perëndive të kombeve të çlirojë vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë? |
19. | Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A e kanë çliruar vallë Samarinë nga duart e mia? |
20. | Kush prej tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e vet nga duart e mia, që Zoti të mund të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?". |
21. | Por ata heshtën dhe nuk u përgjigjën me asnjë fjalë, sepse urdhëri i mbretit ishte: "Mos iu përgjigjni". |
22. | Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, erdhën tek Ezekia me rroba të grisura dhe i njoftuan fjalët e Rabshakehut. |
← Isaiah (36/66) → |