| ← Hosea (8/14) → | 
| 1. | "Bjeri borisë! Armiku do të vërsulet mbi shtëpinë e Zotit si një shqiponjë, sepse kanë shkelur besëlidhjen time dhe kanë marrë nëpër këmbë ligjin tim. | 
| 2. | Izraeli do të më bërtasë: "O Perëndia im, ne të njohim!". | 
| 3. | Izraeli ka hedhur poshtë të mirën, armiku do ta ndjekë. | 
| 4. | Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen. | 
| 5. | Ai ka hedhur poshtë viçin tënd, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. Deri kur do të jenë të paaftë për pastërti? | 
| 6. | Edhe ky viç vjen nga Izraeli; e ka bërë një artizan dhe nuk është një perëndi; prandaj viçi i Samarisë do të bëhet copë-copë. | 
| 7. | Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë. Kërcelli i grurit nuk do të bëjë kalli dhe nuk do të prodhojë grurë; edhe në se do të prodhojë, do ta hanë të huajt. | 
| 8. | Izraelin po e gllabërojnë; ata janë bërë midis kombeve si një vazo e përçmuar. | 
| 9. | Sepse janë ngjitur në Asiri, si një gomar i egër që jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnorë me anë dhuratash. | 
| 10. | Megjithëse ka gjetur dashnorë midis kombeve, tani unë do t'i mbledh dhe do të fillojnë të pakësohen nën barrën e mbretit të princave. | 
| 11. | Sepse Efraimi ka shumuar altarët për të mëkatuar, ata janë bërë për të altare mëkati. | 
| 12. | Kam shkruar për të gjërat e mëdha të ligjit tim, por ato u konsideruan si një gjë e çudishme. | 
| 13. | Sa për flijimet që më ofrojnë, ata bëjnë fli mish dhe e hanë; por Zoti nuk i pëlqen. Tani ai do të kujtojë paudhësinë e tyre dhe do të ndëshkojë mëkatet e tyre: ata do të kthehen në Egjipt. | 
| 14. | Izraeli ka harruar atë që e ka bërë dhe ka ndërtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por unë do të dërgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t'i gllabërojë kështjellat e tij". | 
| ← Hosea (8/14) → |