| ← Hosea (2/14) → | 
| 1. | "U thoni vëllezërve tuaj: "Ami", dhe motrave tuaja "Ruhamah". | 
| 2. | Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga sisët e saj; | 
| 3. | përndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta bëj si në ditën e lindjes së saj; do ta katandis në një shkreti, do ta bëj si një tokë të zhuritur dhe do ta bëj të vdesë nga etja. | 
| 4. | Nuk do të kem mëshirë për bijtë e saj, sepse janë bij prostitucioni. | 
| 5. | Nëna e tyre u kurvërua në fakt, ajo që është ngjizur është sjellë në mënyrë të turpshme, sepse ka thënë: "Do t'u shkoj pas dashnorëve të mi, që më japin bukën time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time". | 
| 6. | Prandaj ja, do të të zë rrugën me ferra, do ta mbyll me një mur dhe kështu nuk do të gjejë më shtigjet e saj. | 
| 7. | Do të rendë pas dashnorëve të saj, por nuk do t'i arrijë; do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë. Atëherë do të thotë: "Do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani". | 
| 8. | Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, që ata i ofronin Baalit. | 
| 9. | Prandaj unë do të marr përsëri grurin tim në kohën e vet dhe mushtin tim në stinën e vet; do t'i heq leshin tim dhe lirin tim, që shërbenin për të mbuluar lakuriqësinë e saj. | 
| 10. | Atëherë do të zbuloj turpet e saj në sytë e dashnorëve të saj dhe askush nuk do ta shpëtojë nga dora ime. | 
| 11. | Gjithashtu do t'u jap fund gëzimeve të saj, festave të saj, hënave të reja të saj, të shtunave të saj dhe gjithë solemniteteve të saj. | 
| 12. | Do të shkatërroj pastaj vreshtat e saj dhe fiqtë e saj për të cilët ajo thoshte: "Këto janë dhuratat që më kanë dhënë dashnorët e mi". Kështu do t'i katandis në një shkurrnajë dhe kafshët e fushave do t'i hanë. | 
| 13. | Do ta dënoj pastaj për ditët e Baalit, kur u digjte atyre temjan, kur zbukurohej me vathë dhe me xhevahire dhe u shkonte pas dashnorëve të saj, por më harronte mua", thotë Zoti. | 
| 14. | "Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t'i flas zemrës së saj. | 
| 15. | Atëherë do t'i jap vreshtat e saj dhe luginën e Akorit si portë e shpresës; atje ajo do të këndojë si në ditët e rinisë së saj, ashtu si veproi kur dolin nga vendi i Egjiptit. | 
| 16. | Atë ditë do të ndodhë, thotë Zoti, që ti do të më quash: "Burri im", dhe nuk do të më quash më: "Baali im". | 
| 17. | Do të heq nga goja e saj emrat e Baalëve dhe nuk do t'i kujtojnë më emrat e tyre. | 
| 18. | Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. Do të thyej harkun, shpatën dhe luftën duke i eliminuar nga toka dhe do të bëj të prehen të qetë. | 
| 19. | Do të fejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri. | 
| 20. | Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin. | 
| 21. | Atë ditë do të ndodhë që unë do të përgjigjem", thotë Zoti. "Do t'i përgjigjem qiellit dhe ky do t'i përgjigjet tokës; | 
| 22. | dhe toka do të përgjigjet me grurin, mushtin dhe vajin, dhe këta do t'i përgjigjen Jezreelit. | 
| 23. | Unë do të mbjell për vete mbi tokë dhe do të më vijë keq për Lo-ruhamahun; dhe do t'i them Lo-amit: "Ti je populli im", dhe ai do më përgjigjet: "Ti je Perëndia im"". | 
| ← Hosea (2/14) → |