← Hosea (13/14) → |
1. | Kur Efraimi fliste me të dridhura, e lartonte vetveten në Izrael, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq. |
2. | Tani vazhdojnë të mëkatojnë, dhe me argjendin e tyre kanë bërë një mori figurash të derdhura, idhuj sipas kuptimit të tyre, të gjitha vepra artizanësh. Për ta thuhet: "Njerëzit që ofrojnë flijime le të puthin viçat". |
3. | Prandaj do të jenë si një re mëngjesore, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, si tymi që del nga oxhaku. |
4. | "Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje. |
5. | Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe. |
6. | Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar. |
7. | Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard; |
8. | do t'i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t'u çaj kafazin e kraharorit; do t'i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t'i shqyejnë. |
9. | Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate. |
10. | Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: "Nëm një mbret dhe disa krerë"? |
11. | Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim. |
12. | Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur. |
13. | Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët. |
14. | Unë do t'i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t'i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi. |
15. | Edhe në rast se është frytdhënës midis vëllezërve të tij, do të vijë nga shkretëtira era e lindjes, do të ngrihet nga shkretëtira era e Zotit, atëherë burimi i tij do të thahet, gurra e tij do të shterojë. Ai do të plaçkitë thesarin e çdo ene të çmuar. |
16. | Samaria do të shkretohet, sepse ka ngritur krye kundër Perëndisë të saj. Do të bien nga shpata; fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë dhe grave të tyre me barrë do t'u çajnë barkun". |
← Hosea (13/14) → |