| ← Genesis (50/50) |
| 1. | Atëherë Jozefi u hodh mbi fytyrën e të atit, qau mbi të dhe e puthi. |
| 2. | Pastaj Jozefi urdhëroi mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin; dhe mjekët e balsamosën Izraelin. |
| 3. | U deshën dyzet ditë, sepse e tillë ishte koha e nevojshme për balsamimin; dhe Egjiptasit e qanë shtatëdhjetë ditë. |
| 4. | Kur kaluan ditët e zisë të mbajtura për të, Jozefi foli në shtëpinë e Faraonit duke thënë: "Në qoftë se kam gjetur hirin tuaj, i thoni Faraonit këto fjalë: |
| 5. | Ati im më ka vënë të betohem dhe më ka thënë: "Ja, unë jam duke vdekur; më varros në varrin që kam gërmuar në vendin e Kanaanit". Tani, pra, më lejo të ngjitem për të varrosur atin tim, pastaj do të kthehem". |
| 6. | Faraoni u përgjegj: "Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh". |
| 7. | Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit, |
| 8. | dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë. |
| 9. | Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish. |
| 10. | Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. |
| 11. | Kur banorët e vendit, Kananejtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: "Kjo është një zi e madhe për Egjiptasit!". Prandaj ai vend u quajt Abel-Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit. |
| 12. | Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar. |
| 13. | Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij. |
| 14. | Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij. |
| 15. | Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?". |
| 16. | Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë: |
| 17. | "Kështu do t'i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu. |
| 18. | Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu". |
| 19. | Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?. |
| 20. | Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë. |
| 21. | Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj". Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi. |
| 22. | Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet. |
| 23. | Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij. |
| 24. | Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes; por Perëndia do t'ju vizitojë me siguri dhe do t'ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit". |
| 25. | Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia me siguri do t'ju vizitojë; atëherë ju do t'i hiqni kockat e mia që këtej". |
| 26. | Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt. |
| ← Genesis (50/50) |