← Genesis (33/50) → |
1. | Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij. |
2. | Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin. |
3. | Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet. |
4. | Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë. |
5. | Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t'i japë shërbyesit tënd". |
6. | Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën. |
7. | U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata. |
8. | Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim". |
9. | Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja". |
10. | Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë. |
11. | Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi. |
12. | Pastaj Esau tha: "Le të nisemi, të fillojmë të ecim dhe unë do të shkoj para teje". |
13. | Por Jakobi u përgjigj: "Zotëria im e di që fëmijët janë në moshë të vogël dhe që kam me vete dele dhe lopë qumështore; po t'i mbajmë keq qoftë edhe një ditë të vetme, tërë kafshët kanë për të vdekur. |
14. | Le të kalojë zotëria im para shërbëtorit të tij, dhe unë do ta ndjek ngadalë me hapin e kafshëve që më paraprijnë dhe me hapin e fëmijëve, deri sa të arrijë te zotëria im në Seir". |
15. | Atëherë Esau tha: "Më lejo të paktën të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por Jakobi u përgjigj: "Pse ta bëjmë këtë? Mjafton që unë të gjej hir në sytë e zotërisë tim". |
16. | Kështu po atë ditë Esau u rikthye në rrugën e tij drejt Seirit. |
17. | Jakobi u nis në drejtim të Sukothit, ndërtoi atje një shtëpi për vete dhe kasolle për bagëtinë; prandaj ai vend u quajt Sukoth. |
18. | Pastaj Jakobi, duke u kthyer nga Padan-Arami, arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Sikemit, në vendin e Kanaanit, ku ngriti çadrat e tij përballë qytetit. |
19. | Dhe bleu nga bijtë e Hamorit, at i Sikemit, për njëqind copë paresh, pjesën e fushës ku kishte ngritur çadrat e tij përballë qytetit. |
20. | Pastaj aty ngriti një altar dhe e quajti El-Elohej-Izrael. |
← Genesis (33/50) → |