| ← Genesis (25/50) → |
| 1. | Pastaj Abrahami mori një grua tjetër, që quhej Keturah. |
| 2. | Dhe kjo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Madianin, Ishbakun dhe Shuahin. |
| 3. | Jokshanit i lindi Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin Asshurimi, Letushimi dhe Leumimi. |
| 4. | Bijtë e Madianit ishin Efahu, Eferi, Hanoku, Abidahu dhe Eldaahu. Tërë këta ishin bijtë e Keturahut. |
| 5. | Dhe Abrahami i dha Isakut gjithçka zotëronte; |
| 6. | por bijve që Abrahami kishte pasur nga konkubinat u dha disa dhurata dhe, sa ishte ende gjallë, i dërgoi larg birit të tij Isakut, drejt lindjes, në një vend të lindjes. |
| 7. | Këto janë vitet e jetës së Abrahamit: ai jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet. |
| 8. | Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë, dhe u bashkua me popullin e tij. |
| 9. | Dhe bijtë e tij Isaku dhe Ismaeli e varrosën në shpellën e Makpelahut në arën e Efronit, biri i Zoarit, Hiteut, që ndodhet përballë Mamres, |
| 10. | arë që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Aty u varrosën Abrahami dhe e shoqja Sara. |
| 11. | Mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia bekoi birin e tij Isakun; dhe Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit. |
| 12. | Tani këta janë pasardhësit e Ismaelit, bir i Abrahamit, që egjiptasja Agar, shërbëtorja e Sarës, i kishte lindur Abrahamit. |
| 13. | Këta janë emrat e bijve të Ismaelit, simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami, |
| 14. | Mishma, Dumahu, Masa, |
| 15. | Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu. |
| 16. | Këta janë bijtë e Ismaelit dhe emrat e tyre, simbas fshatrave dhe fushimeve të tyre. Ata qenë dymbëdhjetë princërit e kombeve të tyre përkatës. |
| 17. | Por këto janë vitet e jetës së Ismaelit, gjithsej njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj ai dha frymë dhe vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij. |
| 18. | (Dhe bijtë e tij banuan nga Havilahu deri në Shur, që është në lindje të Egjiptit, në drejtim të Asirisë). Ai u vendos në prani të të gjithë vëllezërve të tij. |
| 19. | Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit. |
| 20. | Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isaku ishte dyzet vjeç kur mori për grua Rebekën, e bija e Bethuelit, Arameu i Paddan-Aranit dhe motra e Labanos, Arameut. |
| 21. | Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz. |
| 22. | Por fëmijët shtynin njeri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: "Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?". Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin. |
| 23. | Dhe Zoti i tha: "Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendëshmet e barkut tënd. Njeri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t'i shërbejë më të voglit". |
| 24. | Kur erdhi koha për të që të lindte, ajo kishte në bark dy binjakë. |
| 25. | Dhe i pari që doli jashtë ishte i kuq; ai ishte krejt si një mantel leshtor, prandaj i vunë emrin Esau. |
| 26. | Pastaj doli vëllai i tij, i cili me dorë mbante thembrën e këmbës të Esaut; prandaj e quajtën Jakob. Por Isaku ishte shtatëdhjetë vjeç kur Rebeka i lindi. |
| 27. | Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra. |
| 28. | Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin. |
| 29. | Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur. |
| 30. | Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arësye e quajtën Edom. |
| 31. | Por Jakobi iu përgjegj: "Më shit më parë parëbirninë tënde". |
| 32. | Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç'dobi kam nga parëbirnia?". |
| 33. | Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij. |
| 34. | Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij. |
| ← Genesis (25/50) → |