← Genesis (23/50) → |
1. | Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet. Këto qenë vitet e jetës së Sarës. |
2. | Dhe Sara vdiq në Kirjath-Arba (që është Hebroni), në vendin e Kanaanëve, dhe Abrahami hyri aty për të mbajtur zi për të dhe për ta vajtuar. |
3. | Pastaj Abrahami u ngrit më këmbë në prani të së vdekurës dhe u foli bijve të Hethit, duke u thënë: |
4. | "Unë jam një i huaj midis jush dhe i ardhur midis jush; më jepni pronësinë e një varri midis jush, që të mund të varros të vdekurën time dhe ta heq nga sytë e mi". |
5. | Dhe bijtë e Hethit iu përgjigjën Abrahamit duke i thënë: |
6. | "Dëgjona, o zoti im! Ti je midis nesh një princ i Perëndisë, varrose të vdekurën tënde në më të mirën nga varrezat tona, asnjeri prej nesh s'do të refuzojë varrin e tij, me qëllim që ti të varrosësh aty të vdekurën tënde". |
7. | Atëherë Abrahami u ngrit, u përul para popullit të vendit, para bijve të Hethit, |
8. | dhe u foli atyre duke thënë: "Në rast se ju pëlqen që unë ta varros të vdekurën time duke e hequr nga sytë e mi, dëgjomëni. Ndërhyni për mua tek Efroni, bir i Zoharit, |
9. | që të më japë shpellën e Makpelahut, që i përket dhe që ndodhet në skajin e arës së tij; por që të më japë në pronësi me çmimin e tij të plotë si vend varrimi midis jush". |
10. | Tani Efroni ndodhej në mes të bijve të Hethit; dhe Efroni, Hiteu, iu përgjegj Abrahamit në prani të bijve të Hethit, të të gjithë atyreve që hynin nëpër portën e qytetit të tij, duke thënë: |
11. | "Jo, zoti im, dëgjomë! Unë të fal arën dhe shpellën që ndodhet aty; po ta dhuroj në prani të bijve të popullit tim; po ta bëj dhuratë. Varrose të vdekurën tënde". |
12. | Atëherë Abrahami u përkul para popullit të vendit, |
13. | dhe i foli Efronit në prani të popullit të vendit duke thënë: "Dëgjomë, të lutem! Unë do të jap çmimin e arës, pranoje nga unë, kështu unë do të mund të varros aty të vdekurën time". |
14. | Efroni iu përgjegj Abrahamit, duke i thënë: |
15. | "Zoti im, dëgjomë! Toka vlen katërqind monedha argjendi. Ç'është kjo midis meje dhe teje? Varrose, pra, të vdekurën tënde". |
16. | Atëherë Abrahami zbatoi fjalën e Efronit; dhe Abrahami i peshoi Efronit çmimin që i kishte thënë në prani të bijve të Hethit: katërqind monedha argjendi, monedha që tregtarët përdornin midis tyre zakonisht. |
17. | Kështu ara e Efronit që gjendej në Malkpelah përballë Mamres, ara me shpellën që ishte aty dhe tërë drurët që ishin në arë dhe në të gjithë kufijtë përqark, |
18. | kaluan në pronësi të Abrahamit, në prani të bijve të Hethit dhe të të gjithë atyre që hynin nga porta e qytetit të Efronit. |
19. | Pas kësaj, Abrahami varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelahut përballë Mamres (që është Hebroni) në vendin e Kanaanëve. |
20. | Kështu ara dhe shpella që gjendet aty u kaluan nga bijtë e Hethit në pronë të Abrahamit, si vend varrimi. |
← Genesis (23/50) → |