← Genesis (21/50) → |
1. | Zoti vizitoi Sarën, siç i kishte thënë; dhe Zoti i bëri Sarës ato që i kishte premtuar. |
2. | Dhe Sara u ngjiz dhe lindi një djalë me Abrahamin në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që Perëndia i kishte thënë. |
3. | Dhe Abrahami ia vuri emrin Isak birit që i kishte lindur dhe që Sara kishte pjellë. |
4. | Pastaj Abrahami e rrethpreu birin e tij Isak kur ishte tetë ditësh, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. |
5. | Por Abrahami ishte njëqind vjeç, kur i lindi biri i tij Isaku. |
6. | Dhe Sara tha: "Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua". |
7. | Dhe tha gjithashtu: "Kush mund t'i thoshte Abrahamit që Sara do të mëndte fëmijë? Sepse unë i linda një djalë në pleqërinë e tij". |
8. | Kështu, pra, fëmija u rrit dhe u zvordh; dhe ditën që Isaku u zvordh Abrahami shtroi një gosti të madhe. |
9. | Tani Sara pa që djali që i kishte lindur Abrahamit nga Agari, egjiptasja, qeshte. |
10. | Atëherë ajo i tha Abrahamit: "Përzëre këtë shërbyese dhe birin e saj, sepse i biri i kësaj shërbyese nuk duhet të jetë trashëgimtar me birin tim, me Isakun". |
11. | Kjo gjë s'i pëlqeu aspak Abrahamit, për shkak të djalit të tij. |
12. | Por Perëndia i tha Abrahamit: "Mos u hidhëro për shkak të djalit dhe të shërbyeses sate; dëgjo tërë ato që të thotë Sara, sepse nga Isaku do të dalin pasardhës që do të mbajnë emrin tënd. |
13. | Edhe nga djali i kësaj shërbyeses unë do të bëj një komb, sepse është një pasardhës i yt". |
14. | Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë dhe një calik ujë dhe ia dha Agarit; vuri gjithçka mbi shpatullat e saj dhe e nisi bashkë me fëmijën. Kështu ajo u nis dhe filloi të bredhë nëpër shkretëtirën e Beer-Shebas. |
15. | Kur uji i calikut mbaroi, ajo e vuri fëmijën poshtë një kaçubeje. |
16. | Dhe shkoi e u ul përballë tij, në një largësi sa një goditje me hark, sepse thoshte: "Nuk dua ta shoh fëmijën të vdesë!" Kështu ajo u ul përballë tij, ngriti zërin dhe qau. |
17. | Dhe Perëndia dëgjoi zërin e djaloshit dhe engjëlli i Perëndisë thirri Agarin nga qielli dhe i tha: "Çfarë ke, Agar? Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet. |
18. | Çohu, çoje djaloshin dhe mbaje fort me dorën tënde, sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh". |
19. | Atëherë Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus uji: kështu vajti të mbushë calikun me ujë dhe i dha të pijë djaloshit. |
20. | Dhe Perëndia qe me djaloshin; ai u rrit, banoi në shkretëtirë dhe u bë shenjëtar harku. |
21. | Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe nëna e tij e martoi me një grua nga Egjipti. |
22. | Në atë kohë Abimeleku, së bashku me Pikolin, kreu i ushtrisë së tij, i foli Abrahamit duke i thënë: "Perëndia është me ty në tërë ato që bën; |
23. | prandaj betohu këtu në emër të Perëndisë që ti s'ke për të gënjyer as mua, as bijtë e mi, as nipërit e mi, që ti do të përdorësh ndaj meje dhe vendit ku ke banuar si i huaj po atë dashamirësi që unë kam treguar ndaj teje". |
24. | Abrahami u përgjegj: "Betohem". |
25. | Pastaj Abrahami e qortoi Abimelekun për shkak të një pusi uji që shërbyesit e Abimelekut e kishin shtënë në dorë. |
26. | Abimeleku tha: "Unë nuk e di se kush e ka bërë këtë gjë; ti vetë nuk ma ke njoftuar dhe unë vetëm sot dëgjova të flitet për këtë ngjarje". |
27. | Atëherë Abrahami mori dele dhe qe dhe ia dha Abimelekut; dhe të dy lidhën aleancë. |
28. | Pastaj Abrahami vuri mënjanë shtatë qengja femër të kopesë. |
29. | Dhe Abimeleku i tha Abrahamit: "Ç'kuptim ka ajo që ke vënë shtatë qengja mënjanë?". |
30. | Abrahami u përgjegj: "Ti do t'i pranosh nga dora ime këto shtatë qengja, me qëllim që kjo të më vlejë si dëshmi që unë e kam hapur këtë pus". |
31. | Prandaj ai e quajti këtë vend Beer-Sheba, sepse aty që të dy ishin betuar. |
32. | Kështu lidhën aleancë në Beer-Sheba. Pastaj Abimeleku dhe Pikoli, kreu i ushtrisë të tij, u ngritën dhe u kthyen në vendin e Filistejve. |
33. | Pastaj Abrahami mbolli një marinë në Beer-Sheba dhe aty thërriti emrin e Zotit, Perëndi i përjetësisë. |
34. | Dhe Abrahami qëndroi si i huaj shumë kohë në vendin e Filistejve. |
← Genesis (21/50) → |