← Genesis (19/50) → |
1. | Por të dy engjëjt arritën në mbrëmje në Sodomë, ndërsa Loti ishte ulur te porta e Sodomës; sa i pa, ai u ngrit më këmbë për t'u dalë përpara dhe u shtri me fytyrën në tokë, |
2. | dhe tha: "Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, kaloni aty natën dhe lani këmbët; pastaj nesër në mëngjes mund të çoheni shpejt dhe të vazhdoni udhën tuaj". Ata u përgjigjën: "Jo; do ta kalojmë natën në sheshin". |
3. | Por ai nguli këmbë aq shumë sa që ata erdhën tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një banket dhe poqi bukë pa tharm, dhe ata hëngrën. |
4. | Por para se të shkonin në shtrat, njerëzit e qytetit, njerëzit e Sodomës, rrethuan shtëpinë; ishin të rinj e pleq, tërë popullsia e mbledhur nga çdo anë; |
5. | thirrën Lotin dhe i thanë: "Ku janë njerëzit që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që të mund t'i njohim!". |
6. | Loti doli drejt atyre para portës së shtëpisë, e mbylli portën pas tij dhe tha: |
7. | "Oh, vëllezër të mi, mos u sillni kaq keq! |
8. | Dëgjoni, unë kam dy vajza që nuk kanë njohur burrë; prandaj më lini që t'i nxjerr jashtë dhe bëni ç'të doni me to; por mos u bëni asgjë këtyre burrave, sepse janë nën mbrojtjen e shtëpisë sime". |
9. | Por ata i thanë: "Shko tutje!". Pastaj vazhduan: "Ky erdhi këtu si i huaj, dhe dëshiron të bëhet gjykatës! Tani do të sillemi më keq me ty se sa me ata!". Dhe duke e shtyrë Lotin me dhunë, u afruan për të shpërthyer derën. |
10. | Por ata njerëz zgjatën duart e tyre dhe e tërhoqën Lotin brenda shtëpisë bashkë me ta, dhe mbyllën derën. |
11. | Goditën verbërisht njerëzit që ishin te dera e shtëpisë, nga më i vogli deri te më i madhi, kështu që u lodhën në orvatjen për të gjetur derën. |
12. | Atëherë ata njerëz i thanë Lotit: "Kë ke tjetër këtu? Nxirr nga ky vend dhëndurët e tu, bijtë dhe bijat e tua, dhe cilindo që ke në qytet, |
13. | sepse ne po bëhemi gati ta shkatërrojmë këtë vend, sepse britma e banorëve të tij është e madhe përpara Zotit dhe Zoti na dërgoi për ta shkatërruar". |
14. | Atëherë Loti doli e u foli dhëndurëve të tij që ishin martuar me bijat e tij, dhe tha: "Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti do ta shkatërrojë qytetin". Por dhëndurët e tij patën përshtypjen se ai po bënte shaka. |
15. | Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti". |
16. | Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorrën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit. |
17. | Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!". |
18. | Por Loti iu përgjegj atyre: "Jo, zoti im! |
19. | Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes. |
20. | Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën". |
21. | Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole. |
22. | Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar. |
23. | Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar. |
24. | Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit. |
25. | Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën. |
26. | Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe. |
27. | Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit; |
28. | pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre. |
29. | Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar. |
30. | Pastaj Loti doli nga Coari dhe shkoi të banojë në mal bashkë me dy bijat e tij, sepse kishte frikë të qëndronte në Coar; dhe u vendos në një shpellë bashkë me dy bijat e tij. |
31. | Më e madhja i tha më të voglës: "Babai ynë është plak, dhe nuk ka asnjë burrë në vend që mund të bashkohet me ne, ashtu siç ndodh mbi gjithë tokën. |
32. | Eja, t'i japim verë babait tonë e të shtrihemi bashkë me të; kështu do të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë". |
33. | Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit. |
34. | Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: "Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte; pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë". |
35. | Edhe atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe më e vogla shkoi të shtrihet bashkë me të, dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit. |
36. | Kështu dy bijat e Lotit u ngjizën nga babai i tyre. |
37. | Më e madhja lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Moab. Ky është babai i Moabitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona. |
38. | Edhe më e vogla lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Ben-Ami. Ky është babai i Amonitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona. |
← Genesis (19/50) → |